Politike

A do t’i dorëzojë bashkitë opozita? Basha tur takimesh me kryebashkiakët e PD

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën e përmbylljes së procesit zgjedhor të 30 qershorit, duke certifikuar rezultatin e zgjedhjeve, çka nënkupton dhënien e mandatit për kryetarët socialistë të bashkive. Nga ana tjetër fituesit e këtyre zgjedhjeve po i drejtohen gjykatave për dhënien e mandatit, duke i hapur rrugë konstituimit të organeve të reja të pushtetit vendor, mbledhjes së këshillit bashkiak dhe betimit të kryetarit të ri të bashkisë. Një proces që brenda muajit gusht mund të sjellë konstituimin e institucioneve lokale, pasi procesi varet edhe nga afatet kohore të ankimimit të procesit zgjedhore në Kolegjin Zgjedhor.
Opozita prej kohësh ka paralajmëruar se nuk e njeh 30 qershorin, duke e cilësuar si të paligjishëm. Pas protestës së dhjetë kombëtare të së hënës, opozita ende nuk ka përcaktuar se cili do të jetë aksioni i radhës, por gjatë këtyre ditëve ajo është fokusuar më tepër në betejën ligjore të mbledhjes së fakteve për kontestimin e procesit zgjedhor të 30 qershorit. Tetë partitë e opozitës i kanë kërkuar KQZ-së vënien në dispozicion të disa materialeve zgjedhore, regjistrin e zgjedhësve, tabelat e votave të miratuara nga KZAZ dhe të Grupeve të Numërimit të Votave, deri dhe pamjet filmike të procesit të numërimit të votave. Ndërsa kanë nisur kallëzimet penale në prokurori ndaj komisionerëve, me argumentimin se kanë votuar njerëz që nuk jetojnë në Shqipëri. E tillë ishte edhe padia e bërë nga ana e PD-së së Kukësit.

Basha në takimin me strukturat e PD-së në Fier


Partia Demokratike ndërkaq po i kërkon gjykatave shqiptare që të mos i certifikojnë rezultatin e zgjedhjeve të kryebashkiakëve të rinj, për të pritur vendimin që do të japë Gjykata Kushtetuese mbi dekretin e presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve.
E gjithë kjo është ajo që mund të përfshihet në fazën e betejës ligjore të PD për të realizuar goditjen e 30 qershorit. Por ajo çfarë pritet të shihet nga opozita është fakti nëse kryebashkiakët e djathtë të 27 bashkive do të pranojnë të dorëzojnë “çelësat” apo jo? Të zgjedhurit e djathtë që janë ende në detyrë kanë paralajmëruar se nuk do të pranojnë një gjë të tillë, pasi nuk e njohin procesin e 30 qershorit. Të tilla janë paralajmërimet e lëshuara nga ana e kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu apo Agron Kapllanaj i Mallakastrës.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha përballë këtyre “kërcënimeve” ka nisur një tur takimesh në Shqipëri, duke u ndalur kryesisht edhe në ato qytete që drejtohen nga ana e opozitës. I tillë ishte takimi i së mërkurës në Mallakastër. “Bashkia Mallakastër ka një kryetar legjitim. Ai është Agron Kapllanaj. Derisa të ketë një proces të rregullt zgjedhor, ku përsëri do të konfirmohet si kryetar, Agron Kapllanaj”- u shpreh Basha në takimin informal me drejtuesit e degës së PD në Mallakastër.

Basha në takim në Mallakstër

Kryedemokrati Basha ishte dhe në bashkinë e Selenicës, e cila drejtohet nga e djathta. Edhe në këtë takim dha të njëjtin mesazh sa i takon nëse do të lirojnë zyrat ose joe përfaqësuesit e djathtë.
“Kryetari legjitim i Bashkisë së Selenicës është Përparim Shameti dhe ai do të jetë në këtë pozicion derisa në vend të mbahen zgjedhje të rregullta e demokratike, në të cilat ai do të rikonfirmohet si kryebashkiak i Selenicës”-u shpreh Basha.

Basha në takimin e Selenicës


Kreu i opozitës tha se demokratët duhet t’i shërbejnë mesazhit më të madh që dha 30 Qershori: 85 perqind e shqiptarëve refuzojnë regjimin e Edi Ramës dhe duan ndryshimin. “Ata duan jo thjesht të ikë një parti dhe të vijë një tjetër, por duan ndryshimin e vërtetë, që i jep fund tranzicionit 30 vjeçar”- tha kreu i opozitës. “Ne nuk jemi në betejë për karriget tona, - shtoi Basha, - por për të mbrojtur interesin publik, për ndryshimin rrënjësor të sistemit, që e keqja që solli Edi Rama, të mos përsëritet më kurrë”.


Takime me strukturat, Basha pati edhe me strukturat e PD-së së Vlorës, Fierit dhe Lushnjës, ku ka zhvilluar takime edhe me strukturat e PD-së. Opozita e ka cilësuar këtë periudhë si vendimtare, e kjo lidhet me dorëzimin e bashkive. Nuk dihet nëse në këto takime kryedemokrati ka udhëzuar strukturat e PD-së që të realizojnë protesta në qytete në kuadër të kontestimit të zgjedhjeve, apo pritet që të organizojnë një protestë të re kombëtare. Gjithashtu me interes pritet udhëzimi nëse PD-ja do të pranojë dorëzimin e bashkive te të majtët ose jo. Për këtë Gazeta Si ka mësuar se kryedemokrati Basha do të zhvillojë një takim në selinë qendrore me të gjithë të kryebashkiakët për të vendosur mbi hapat që do të ndërmarrin në momentin kur të kërkohet mandatimi i kryebashkiakëve të rinj socialistë.

Basha takim në Lushnjë


Ndërkaq opozita gjendet edhe përballë presionit ultimativ nga ana e ndërkombëtarëve për të mos shkaktuar dhunë në protesta. Përveç këtij aksioni politik mësohet se liderët e opozitës janë në kontakte edhe me faktorin ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike. Kjo është e bërë e ditur edhe nga vetë kreu i PD-së, Basha, si dhe edhe nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Opsioni i zgjidhjes së ofruar nga PD është zgjedhje të parakohshme, një qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër, si dhe ndëshkim nga drejtësia të të gjithë atyre që kanë vjedhur votat, duke iu referuar përgjimeve të dosjeve të publikuara për zgjedhjet e Dibrës dhe Durrësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë