Futboll

A do të vendosë politika (sërish) për futbollin?

Futbolli shqiptar ka plot probleme sa i takon anës organizative, terreneve sportive, mungesës së profesionalizmit, apo edhe trukimit të ndeshjeve nga bota kriminale. Por, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, i duhet që të mbajë mbi supe edhe peshën e politikës.

Në muajin mars, kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu bënte një deklaratë të pashembullt, ku hidhte akuza se kampionati po trukohej dhe se i gjithë skenari po realizohej në dëm të Kamzës, që të shpëtohej Teuta me Vllazninë.

Në atë kohë, Kamza renditej në pozicione komode në tabelën e renditjes, gjashtë pikë para Teutës e Vllaznisë. Sot, kur kanë mbetur edhe 90 minuta nga ulja e siparit të këtij sezoni, Kamzës i duhet të luftojë mbijetesën deri në fund me shkodranët.

Si përfshihet politika këtu? Deklaratat e drejtpërdrejta, madje edhe premtimet groteske të politikanëve (kujto premtimin e Alfred Pezës në Peqin, ku në fushatë elektorale u premtonte tifozëve të Shkumbinit hapjen e Shkumbini Channel sipas modeleve Inter Channel e Milan Channel, binjakëzim me Lacion etj etj) nuk kanë munguar.

Alfred Peza bën premtimet e bujshme në Peqin

Po në Peqin, para Pezës ishte Dash Sula nga Partia Demokratike. Sa kohë ishte ai deputet dhe anëtar në Komisionin e Ligjeve, Shkumbini nuk ra nga kategoria. Të jetë rastësi?

Të gjitha këto, por edhe shembuj të tjerë më pak të bujshëm të bëjnë të dyshosh se vështirë që politika do të qëndrojë larg këtë 90 minutësh të fundit të Kategorisë Superore dhe dilema e madhe është në kampin e opozitës. Si Kamza, ashtu edhe Shkodra janë bashki të djathta. Kë do të “zgjedhë” PD të shpëtojë, Voltana Ademin, apo Xhelal Mziun?

Zgjedhjet po vijnë dhe opozita nuk e do pakënaqësinë e tifozëve të Vllaznisë ndaj kryebashkiakes së tyre. Tifozët shkodranë protestuan një ditë para ndeshjes me Kukësin para Bashkisë. Vllaznisë së mbetur me trajner të përkohshëm i duhet të fitojë me korçarët kampionë në javën e fundit, ndërsa Partizani duhet të mundë Kamzën javën e ardhshme.

Për Vllazninë në krizë dhe të rrëzuar nga Kategoria Superiore mund të dalin shpëtimtarë sezonin e ardhshëm, por përgjegjësia për këtë dështim historik do t’i mbetet bashkisë aktuale, çka mund të reflektohet në mënyrën sesi shkodranët do të votojnë në zgjedhjet vendore.

E gjitha kjo mbetet një skenar hipotetik, por ka sinjale se në këto ditë para javës së fundit të kampionatit, shumë gjëra do të luhen nën rrogoz nga politika, sesa nga lojtarët në fushën e blertë.

Por, le t’i rikthehemi naivitetit tonë e të bëjmë përllogaritjet, pa politikën. Skënderbeu mbetet në pritje të vendimit të CAS-it të për të hequr dënimin 10-vjeçar të UEFA-s, ndërsa duket se Kukësi, Luftëtari e Laçi do të jenë pjesëmarrësit në Europë.

Në rast konfirmimi të dënimit, ai që fërkon duart është Kukësi, pasi do të merrte pjesë në Ligën e Kampionëve, ndërkohë që aktualisht ka të sigurtë pjesëmarrjen në Ligën e Europës.

Laçi mund t’i bashkohet në këtë Ligë përmes vendit të katërt në Superiore, ose përmes fitimit të Kupës në finalen ndaj Skënderbeut. Nëse Skënderbeu përjashtohet, atëherë vendi i katërt i kampionatit zhvendoset në të pestin, që do të thotë se edhe Partizani mund të hyjë në Europë.

Mbijetesa do të vendoset në 180 minuta që do të luhen në Korçë dhe Tiranë. Në jug-lindje Skënderbeu pret Vllazninë, ndërsa në kryeqytet, Partizani luan ndaj Kamzës. Në rast fitoreje të shkodranëve ndaj kampionëve dhe humbjes së kamzalinjve në kryeqytet, Vllaznia shpëton, ndërsa Kamza zbret në Kategorinë e Parë.

Nëse Kamza barazon dhe Vllaznia fiton, dy skuadrat ngjitën në kuotë të barabartë prej 44 pikësh dhe gjithçka do të vendoset nga golavarazhi.

Rregullorja

  1. Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh,
    renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtuar në
    konsideratë kriteret si më poshtë:
    a) pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve
    përkatëse;
    b) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara
    midis ekipeve përkatëse;
    c) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë Kampionatit
    Kombëtar të Futbollit, për Kategorinë Superiore, sezoni futbollistik
    2017-2018;
    d) numri më i madh i golave të shënuar gjatë Kampionatit Kombëtar
    të Futbollit, për Kategorinë Superiore, sezoni futbollistik 2017-2018;
    e) me short.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë