Opinion

A do të largohet Italia nga gazjellësi TAP?

Pas tre vite punimesh, ndërtimi i gazsjellësit TAP në territorin shqiptar është tanimë fare pranë përfundimit ( gati 99 për qind). Por e ardhmja e tubacionit është vënë në rrezik nga Italia fqinje, e cila ka sinjalizuar se mund të “mbyllë dyert”, duke u tërhequr zyrtarisht nga projekti. Ky zhvillim ka ngjallur jo pak panik në mesin e kompanive energjitike dhe vendeve të tjera europiane, që e kanë piketuar gazsjellësin si mundësinë e vetme për t’u shkëputur nga Rusia. Tubacioni Trans-Adriatik synon të transportojë gazin nga Azjebaxhani, në Greqi, Shqipëri dhe më pas përmes Detit Adriatik të kalojë në territorin e Italisë jugore, ku do të lidhet me rrjetin italian për gaz natyror për të arritur tregje të shumta europiane dhe perëndimore. Megjithatë, rruga që do të ndjekë tubacioni, mund të pësojë një devijim jashtëzakonshëm, pasi qeveria populiste italiane premtoi të nisë një studim për të vendosur nëse Roma  do të përfitojë nga pjesëmarrja në tubacionim e gazit natyror.

Për të penguar një zhvillim të tillë, një nga lotuesit më të mëdhenj të tubacionit, ish-kryeministri britanik Toni Bler, ka njoftuar ditën e djeshme se do të takojë “liderin de fakto”  të Italisë, Mateo Salvinin, për ta bindur të jetë pjesë e projektit. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta britanike “The Guardian”, e cila shkruan se Ministri i Brendshëm italian do të takohet me ish-kryeministrin britanik në Romë për të diskutuar zgjerimin e tubacionit TAP nga Azerbajxhani në Puglia. Blair ka punuar si konsulent i tubacionit Trans-Adriatik që nga viti 2014, një projekt që gëzon mbi të gjitha përkrahjen e fortë të presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Rruga që ndjek TAP

Por a do ta bindë Bler Salvinin?

Edhe pse Bler nuk ka pranuar të komentojë, Salvini tha se ishte i gatshëm të dëgjonte ish-kryeministrin për tubacionin dhe çështje të tjera. Por pikëpamjet e ashpra të Bler mbi populizmin priten t’ia vështirësojnë edhe më shumë bisedën me Salvinin dhe bindjen e tij për vlerën e tubacionit. Bler është tanimë më krye të Institutit për Ndryshimet Globale, një lëvizje e krijuar për të luftuar populizmin dhe shkaqet e përhapjes së tij. Sikur mos të mjaftonte kjo, ai deklaroi pak javë më parë se nacionalizmi i shfrenuar që vjen nga liderë si Salvini, mund të çojë në rikthimin e fashizmit të viteve 1930.

Koalicioni populist italian, Lëvizja Pesë Yje dhe Lega Nord, nuk kanë arritur ende një marrëveshje për çështjen e gazsjellësit. Në korrik, Salvini tha se do të mbështeste zgjerimin e tubacionit, duke deklaruar se ai do të ndihmonte në uljen e çmimeve të gazit në Itali, ku kishte pak konkurrencë në tregun e energjisë. "Jugu i Italisë ka nevojë për infrastrukturë”, tha ai. "Ne duhet të ecim përpara."

Por vetëm disa ditë më vonë, Barbara Lezzi, ministra e Lëvizjes Pesë Yjet, u përgjigj duke thënë se: "Ne kemi nevojë për infrastrukturë: kemi nevojë për rrugë, shkolla, stacione trenash, por ndërtimi i tubacionit do të ishte i padobishëm dhe i dëmshëm.” Si ajo, ashtu edhe Luigi Di Maio, zëvendëskryeministri i Italisë dhe kreu i lëzisjes kanë sinjalizur se partia e tyre është kundër ndërtimit të TAP në Itali.

ish-kryeministri britanik, Toni Bler,

Të të njëjtit mendim duket se janë edhe ambjentalistët italianë, të cilët shprehen se Puglia, e cila ka dy vende të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, do të përballet me pasoja të rënda si pasojë e tubacionit. Sipas tyre TAP do të kontaminojë furnizimet me ujë të pijshëm. Aktivistët kanë gjithashtu frikë se plazhet do të shndërrohen në vende ndërtimi, duke kërcënuar bukuritë e Mesdheut.

TAP ka marrë një rëndësi edhe më të madhe strategjike me ndërtimin e tubacionit , “Nord Stream 2”, i cili do të transportojë gazin nga Rusia në Gjermani. Shumë vende, përfshirë Poloninë, SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, kundërshtojnë ashpër ndërtimin e “Nord Stream 2”, duke argumentuar se ai do të forcojë ndikimin e Rusisë në Evropë, do të dobësojë financat e Ukrainës dhe do të rrisë varësinë e fuqive europiane nga gazi rus. Kancelarja gjermane Angela Merkel, është kritikuar vazhdimisht për mbështetjen e tubacionit, edhe pse ka këmbëngulur se ai nuk do të ketë pasoja për sigurinë e Europës. Ajo ka reaguar ndaj kritikave ndërkombëtare, duke vizituar Azerbajxhanin muajin e kaluar në përpjekje për të treguar se ishte e angazhuar për të diversifikuar furnizimet me gas në Europë. Vlerësohet se fusha e gazit “Shah Deniz” në Azerbajxhan ka rezerva prej 1.2mn metra kub gaz, ndërkohë që BE-ja pritet të marrë 1.2m metra kub gaz në ditë nga tubacioni.

Edhe pse Blair dhe Salvini mund të jenë pole të kundërta, ata mund të bien dakord për zgjerimin e TAP në Itali.  Bler pritet të këmbëngulë se çdo vendim i papritur i vendeve pjesëmarrëse për të ndryshuaur planet e TAP do të kishte një ndikim të madh në mbarëvajten e tubacionit. Puna për projektin ka arritur tashmë në faza të avancuara dhe pjesa italiane pritet të përfundojë brenda dy viteve. TAP nisi në vitin 2007 dhe Italia nënshkroi një marrëveshje ndërqeveritare me Greqinë dhe Shqipërinë në vitin 2013. Ndryshimet do të kenë gjithashtu një ndikim dramatik për anëtarët e konsorciumit të TAP, të cilat përfshijnë kompaninë italiane “Snam Rete Gas”, e cila bleu 20 për qind  të aksioneve në 2015.

Ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini 

Përse Shqipëria përfiton nga largimi i Italisë?

“TAP” është parë prej kohësh si një projekt me interes të madh nga Bashkimi Europian por edhe nga Shtetet e Bashkuara, pasi pritet që të ulë varësinë e Europës nga gazi rus. Nëse qeveria populiste italiane do të tërhiqet nga projekti do të shkaktonte reagime dhe përplasje të shumta në Bruksel, por do t’i bentë gjithashtu një nder të jashtëzakonshëm Rusisë. Por Moska nuk do të ishte përfituesja e vetme e këtij vendimi pasi nëse Italia nuk do të vazhdojë më projektin, Shqipërisë do ti duhet të mbajë peshën e TAP. Pa Italinë, gazsjellësi adriatik-jonian do të merrte një rol strategjik, duke e venë vendin tonë në qendër të projektit. Duke qënë se TAP konsiderohet nga Bashkimi Evropian si një alternativë për t’u shkëputurr nga furnizimi me gas nga Rusia, Brukseli do të bënte gjithçka që ta mbante projektin në këmbë, duke i kushtuar një rëndësi të madhe vazhdimit të tij në Shqipëri. TAP është përfshirë nga Komisioni Evropian në listën e projekteve me interes të përbashkët (PCIs) dhe si një projekt që do të lidhë sistemet energjetike të shteteve të ndryshme anëtare, duke kontribuar në arritjen e objektivave të politikës energjetike të BE-së. Dhe në fakt, në shkurtin e kaluar, Banka Europiane e Investimeve (EIB) dha një nga kreditë më të rëndësishme në historinë e saj, 1.5 miliardë euro, pikërisht në favor të TAP-it.

Me tërheqjen e Italisë, një pjesë e mirë e tubacioneve të projektit do të duhet të kalonin nga toka shqiptare për t’u shpërndarë më pas drejt pjesës tjetër të Europës. Nuk dihet ende rruga që mund të ndjekë projekti nëse Italia vendos të largohet, por një gjë është e sigurt, Shqipëria do të mbante peshën kryesore.

Burimet: "The Guardian", “Business Insider”


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë