Ne rrjet

A do të kalojë marrëveshja e emrit në parlamentin maqedonas?

“Ju mbani  në duar çelësin e të ardhmes së vendit tuaj”. Ky ishte mesazhi i shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, përpara se parlamenti maqedonas të votojë këtë të hënë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese që do t’i hapin dyert zbatimit të marrëveshjes së Greqisë. Ajo u kërkoi edhe njëherë politikanëve maqedonas të vepronin me përgjegjshmëri.

Mogherini ishte zyrtarja e parë perëndimorë që vizitoi Shkupin pas referendumit të 30 shtatorit, i cili nuk i përmbushi pritshmëritë e kryeministrit Zoran Zaev dhe liderëve perëdimorë. Por pavarësisht pjesëmarrjes së ulet, parlamenti maqedonas do të votojë të hënën për miratimin e Marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, duke i dhënë fund mosmarrëveshjes së gjatë me Greqinë.

"Dyert e BE janë të hapura për ju", tha Mogherini pas bisedimeve me kryeministrin Zoran Zaev. "Së bashku mund të arrijmë shumë, për të gjithë njerëzit tanë, për prosperitetin tonë, për sigurinë tonë, për stabilitetin tonë", shtoi ajo. "Ju keni një mundësi historike në duart tuaja".

Të njëjtin qëndrim duket se mbajti ZëvëndësPresidenti i Shteteve të Bashkuara Mike Pence në një letër drejtuar Kryeministrit të Maqedonisë. Sipas qytetarët e Maqedonisë miratuan marrëveshjen me Greqinë dhe riafirmuan mbështetjen për zbatimin e saj, në referundimit  e 30 shtatorit.

Zoran Zaev dhe Mike Pence

"Nga ata që votuan në referendum, 90% miratuan marrëveshjen e Prespës dhe ripohuan kështu angazhimin e madh për të ardhmen europiane të vendit. Keni përkrahjen time të vazhdueshme në këtë moment të rëndësishëm për vendin tuaj ", shkroi Pence në një letër të botuar nga qeveria e Maqedonisë.

Pence i shkroi Zaev se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë angazhimin e tij për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit . Ndërkohë kryeministri Zaev tha se ishte mjaft optimist për votimin e ardhshëm në parlament.  Zaev tha se pas bisedave të zhvilluara me deputetë të opozitës, ka krijuar përshtypjen se ata do të mbështesin ndryshimin e Kushtetutës.

“Numri i mbështetësve është i madh, pasi njerëzit besojnë në këtë process. Por m për shkak të kërcënimeve e presioneve të ndryshme, ata nuk i tregojnë qëndrimet e tyre. Edhe unë edhe ata e dinë se duhet ta shfrytëzojmë këtë shans pasi nuk do të ketë mundësi tjetër. Ata gjithashtu e dinë se Marrëveshja me Greqinë është e drejtë dhe se nuk do të ketë as anëtarësim mund të ketë as në NATO dhe as në BE”, deklaroi ai.

Ai ka hedhur poshtë edhe njoftimet për blerjen e deputetëve të opozitës.

“Edhe një herë i bëj thirrje opozitës për mirëkuptim. Plan ‘B’ nuk ka dhe nuk do të ketë, pasi nuk ka alternativë tjerë. Të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm për procesin dhe të pyesim vetes se çfarë na pret nëse kjo mundësi dështon”, u shpreh kryeministri Zaev

Opozita nga ana tjetër shprehet e bindur se deputetët e saj nuk do të mbështesin marrëveshjen e emrit. Madje VMRO-DPMNE kërkoi që të hetoheshin të gjitha dyshimet se disa deputetë kanë marrë kërcënime.


Lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski

“Të gjitha instrumentet janë në duart e pushtetit, edhe ato që kanë të bëjnë me sigurinë e deputetëve, por edhe instrumentet për sa i përket verifikimit të informacioneve. Pra, duhet të verifikohen këto informacione dhe jo të dilet vetëm me spekulime se deputetë të caktuar kërcënohen, sepse bëhet fjalë për çështje shumë serioze, pas gjithë atyre shkeljeve që po bën pushteti sa i përket sundimit të drejtësisë. Prandaj e përsëris, nevojiten dëshmi serioze për këtë çështje sepse bëhet fjalë për deputetë që i përkasin opozitës”, tha për Radion Europa e Lirë zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

Sipas tij, drejtësia qëndron e verbër ndaj spekulimeve se bëhet tregti me drejtësinë”. Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë Oliver Spasovski, të mërkurën ka paralajmëruar fillimin e hetimeve lidhur me pretendimet për kërcënimin e deputetëve të partisë maqedonase në opozitë, të cilët duan të votojnë për ndryshimet kushtetuese.

Ministri Spasovski nuk ka dhënë më shumë detaje se nga kush dhe cilët deputetë janë kërcënuar, por ka theksuar se deputetët por edhe udhëheqës të lartë të kësaj partie, janë kërcënuar përmes rrjeteve sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë