Politike

A do ta shkarkojë Ilir Metën? Rama: Presidenti bëri vetëvrasje politike

Kryeministri Edi Rama jo vetëm që sfidoi dekretin e Presidentit Ilir Meta dhe vijoi me fushatën elektorale, por paralajmëroi se mazhoranca mund të vihet në lëvizje për ta shkarkuar atë.

“Ilir Meta ka shkruar fatin e tij si një President që e ka humbur të drejtën që të qëndrojë në atë zyrë dhe do ta shikoni që të gjithë ata që bërtasin në rrugë Rama Ik, do të ikin një nga një vetë. Kjo bëhet për të varrosur reformën në drejtësi. Kërkohet rrëmujë dhe kaos për të goditur reformën në drejtësi”, deklaroi Rama.

Këto fjalë, Kryeministri i shqiptoi nga qyteti i Burrelit, kryeqendra e Bashkisë së Matit, që aktualisht drejtohet nga Partia Demokratike. Rama përsëriti se vendimi i Presidentit për të anuluar zgjedhjet e kishte parashikuar, ndërsa parashikimet nuk i la me kaq. Rama paralajmëroi të tjerë vendime të forta të Presidentit.

“Krejtësisht sipas parashikimeve tona dhe të miat u shfaq si shpëtimtar i atyre që kishin mbetur në rrugë, as më shumë e as më pak presidenti i republikës duke paralajmëruar një akt që politikisht është vetëvrasje, ligjërisht është nul, nuk ekziston dhe moralisht është turp e s’ka më turp. Ne nga fronti i shpëtimtarit të opozitës s’kemi parë gjë akoma. Nuk është çmenduria e fundit. Do të ketë edhe të tjera. Një gjë është e sigurtë, do apo s’do Saliu, do apo s’do Iliri, do apo s’do Lulzimi e filxhani, zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor”, vijoi ai.

Një tjetër parashikim lidhej me mediat.

“Në ditët në vazhdim sapo të hapni televizorin dhe portalin do të dëgjoni se të gjitha këto janë për të vazhduar për të tërhequr prej hunde të gjithë ata që mund të bëjnë për budallenj, ndërkohë që ne duam të vendosim se kush tallet me Kushtetutën nuk ka më vend as më pak përveçse të vrasë veten politikisht”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se opozita po braktiset në kauzën e saj çdo ditë e më shumë.

“Gjithmonë e më pak njerëz i ndjekin dhe akoma më pak njerëz i ndjekin në atë rrugë. Ka shumë më tepër njerëz që nuk dalin në bulevard që nuk e duan këtë Qeveri, por ama shumica e atyre njerëzve që kanë të gjithë të drejtën e tyre të mendojnë ndryshe, nuk janë budallenj dhe s’mund t’i tërheqë kush prej hunde për t’i çuar në një rrugë që nuk dëmton Qeverinë, por dëmton ekonominë e secilit”, u shpreh ai.

Kryeministri mbrojti kandidaturën e Partisë Socialiste për Bashkinë e Matit, ish-gardistin e 21 janarit, Agron Malaj. Rama u shpreh me bindje se Agron Malaj nuk ka shkrepur asnjë plumb në atë protestë ku humbën jetën katër persona.

“Nuk e them unë, nuk e thotë Partia Socialiste, por e thotë hetimi, prandaj Agroni është këtu ku është sot”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë