Ne rrjet

A do pezullojë Britania lëvizjen e lirë pas Brexit? Sa rrezikojnë shqiptarët

Qeveria britanike ka vendosur të ashpërsojë qëndrimin e saj në negociatat me Brukselin për Brexit, duke paralajmëruar se lëvizja e lirë për të gjithë qytetarët e huaj në Mbretërinë e Bashkuar do të marrë fund në tetor.

Situata paraqitet edhe më e komplikuar për shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar, ku jetojnë më shumë se 35 mijë shqiptarë nga vendi pasi nuk dihet qëndrimi që do të mbajë qeveria ndaj emigrantëve, sidomos atyre ilegalë. Emigrantët shqiptarë janë shpeshherë edhe protagonistë të tabloidëve britanikë për trafikun e kokainës dhe lidhjet me krimin e organizuar.

Qeveria britanike ka deklaruar se rregullat që u lejonin shtetasve europianë të jetonin dhe të punonin lirshëm në Mbretërinë e Bashkuar do të shfuqizohen në rast të një daljeje pa marrëveshje nga BE-ja në fund të tetorit.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se këto rregullat do të përfundojnë që ditën që Britania do të shkëputet nga unioni.

Qeveria e ish-kryeministres Theresa May kishte shqyrtuar mundësinë e lëvizjes së lirë deri më 2021, duke përmendur mundësinë e lejimit të qytetarëve evropianë që të qëndrojnë në Britani për tre muaj, para se të aplikojnë për të qëndruar më gjatë.

Megjithatë, të dyja mundësitë tani janë hedhur poshtë, në këmbim të një qasjeje të re, që pritet të publikohet më vonë.

Boris Johnson dhe Angela Merkel. Gazeta Si, 22 gusht 2019

Konsiderohet se në Britani jetojnë 3 milionë banorë të bllokut evropian.

Pas këtyre deklaratave, kompanitë britanike kanë shprehur shqetësimin se pas Brexit-it mund të mos jenë në gjendje të punësojnë numrin e kërkuar të punëtorëve të kualifikuar dhe të pakualifikuar

"Britania do të heqë lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore menjëherë pas Brexit-it dhe do të vendosë masa për të zvogëluar numrin e emigrantëve më pak të kualifikuar nga BE-ja", raporton Reuters duke iu referuar një dokumenti qeveritar të publikuar nga “The Guardian”.

Britania gjithashtu do të vendosë kufizime serioze të reja mbi të drejtat e atyre shtetasve të huaj për të sjellë anëtarët e familjes në Mbretërinë e Bashkuar.

Muajin e kaluar migrimi neto në Mbretërinë e Bashkuar ra në nivelin më të ulët në tre vjetët e fundit, duke marrë parasysh periudhën nga prilli i vitit të kaluar deri në qershor të këtij viti. Më shumë se gjysma e kësaj rënieje është për shkak të largimit të shtetasve të BE-së pas referendumit për daljen nga unioni.

Por ekspertët e emigracionit thonë se Mbretëria e Bashkuar nuk mund t'i japë fund lirisë së lëvizjes nga BE, sepse nuk ka asnjë sistem për të zgjidhur kush po qëndron në mënyrë ilegale në vend dhe kush jo.

Ministria britanike e Punëve të Brendshme tha në 19 gusht se liria e lëvizjes së qytarëve evropianë do të përfundojë menjëherë që ditën që Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga BE-ja.

Londër, Gazeta Si, 22 fusht 2019

Por Observatori i Emigracionit në Universitetin e Oksfordit tha se zyrtarët britanikë nuk do të kenë asnjë mënyrë sesi të lokalizojë qytetarët e huaj që kanë hyrë në vend pas 31 tetorit. Sipas sistemit ekzistues, shtetasit e BE-së nuk kanë pse ta regjistrojnë praninë e tyre në Mbretërinë e Bashkuar, kështu që Zyra e Brendshme nuk ka të dhëna se kur kanë mbërritur.

Madeleine Sption, drejtoreshë e Observatorit të Emigracionit, tha se qeveria do ta ketë edhe më të vështirë të kufizojë lëvizjen e lirë në shtetin ishullor.

"Kjo për shkak se çdo kufizim i ri mbi emigrantët nuk mund të zbatohet, përveç nëse punëdhënësit në Mbretërinë e Bashkuar e dinë se cilët shtetas të huaj kanë qenë këtu për vite me radhë dhe cilët kanë mbërritur pas Brexit-it", thotë ajo. Sipas saj, në rast të daljes pa marrëveshje nga BE-ja, qytetarët europianë do të duhet të bëjnë kërkesë për leje të përkohshme evropiane për të qëndruar më shumë se tre muaj. Ky status është hapur për të gjithë qytetarët e BE-së, me kusht që të kalojnë disa kontrolle të kriminalitetit.

Megjithatë, për të kontrolluar më nga afër fluksin e emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur regjistrimi i të gjithë qytetarëve të huaj, skemë e cila mbyllet në dhjetor 2020.
Skema e zgjidhjes synon të regjistrojë shtetasit e huaj në vend, por askush prej tyre nuk është i detyruar që të marrë pjesë.

Deri në korrik, vetëm një e treta e vlerësuar prej 3.3 milionë qytetarëve të BE-së me bazë në Mbretërinë e Bashkuar kishin aplikuar, duke lënë më shumë se dy milionë të paregjistruar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë