Mohamed Salah mund të kthehet në Itali dhe të veshë fanellën e Juventusit. Ky është lajm i fundit i merkatos. “The Guardian” në Angli shkruan për një skenar, që do ta rikthente yllin egjiptian të Liverpulit në Serinë A, ku ai ka luajtur me Fiorentinën dhe Romën më parë. Nuk ka asgjë të çuditshme, sepse është normale që një klub si Juventusi të kërkojë një nga lojtarët më të mirë në qarkullim, por buja qëndron te “sakrifikimi” i Dibalas.
Interesant këtë transferim të mundshëm e bën pikërisht fakti se klubi italian ofron në shkëmbim argjentinasin Paulo Dibala. Trajneri Masimiliano Alegri dhe klubi bardhezi joshen shumë nga numrat e sulmuesit të Liverpulit në dy sezonet e fundit: 17 gola në Premier Leageu këtë sezon, 3 në Champions League dhe 8 asiste. Momo Salah është një “top player” absolut dhe patjetër që Liverpuli nuk dëshiron ta humbë, por propozimi i Juventusit është intrigues.
Kampionët e Italisë janë gati të ofrojnë Dibalan në shkëmbim dhe thuhet se kanë marrë për momentin miratimin e trajnerit gjerman Jurgen Klop. Ajo që ngre dyshime ka të bëjë me shifrën totale të këtij operacioni, që sipas tabloidit anglez, shkon në 175 milionë euro. Një shifër vërtet shumë e lartë për Juventusin, por që pas blerjes së Kristiano Ronaldos mund të merret në konsideratë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.