Policia e Shtetit ka hapur një procedim penal për administratorin e klubit të Superligës, Kastrioti, Gazmend Vogli, pasi në fanellat e skuadrës së Kastriotit gjatë këtij sezoni reklamohet web-i i një kompanie bastesh me bazë në Kinë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, procedimi ndaj Gazmend Voglit është nisur nga specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Policia ka bërë me dije se është hapur një procedurë penale edhe për përgjegjësin e sektorit të garave pranë FSHF-së, Lusien Nurishmi, për neglizhim dhe shpërdorim të detyrës. Sipas Policisë së Shtetit, shkelja e ligjit nga klubi krutan është konstatuar ditën e shtunë gjatë ndeshjes Partizani-Kastrioti e vlefshme për javën e 21-të të Superligës, që u luajt në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Kjo ishte ishte ndeshja numër 5 për ekipin e Kastriotit që zbret në fushë me atë logo, që nga koha që ka hyrë në fuqi ligji që ndalon bastet. Nuk dihet se përse është vonuar kaq shumë reagimi nga Policia e Shtetit për të kërkuar zbatimin e ligjit në këtë rast. Kanë kaluar më shumë se dy javë që nga koha kur Kastrioti e theu për herë të parë ligjin, kur më datë 28 janar zbriti në fushë përballë Luftëtarit dhe në fanellë kishte të stampuar një logo kompanie bastesh.

Mesa duket është dashur një postim në rrjetet sociale i zv.kryeministrit Erion Braçe që ky element në fanellën e skuadrës së Kastriotit të vihej në dukje. Braçe, që njihet gjerësisht si një tifozë i flaktë i Partizanit pasditen e së shtunës ka shkruar se reklamimi që Kastrioti i bën kompanisë së basteve është në kundërshtim me ligjin.
“Tani në ndeshje por jashtë garës. Shihini pak bluzat e Kastriotit! Kjo 138.com çfarë është? Kompani guroresh? Apo çimentoje? Nuk besoj! Kaq për këtë herë. Ndërkohë me duhet të përsëris një mesazh: Kush e ka marrë lehtë ligjin për mbylljen e moslejimin e Lojërave të Fatit në këtë vend bën gabim të madh! Po i bën dëm kolosal vetes! Ndaleni reklamimin se sanksionet do jenë kostoja shtesë mes halleve që keni!”, shkruante Braçe ndër të tjera në postimin e tij.
Nuk dihet nëse statusi në Instagram i Erion Braçes i ka shërbyer Policisë, për të kthyer sytë nga kjo shkelje ligji, por fakti është që mëngjesin e kësaj të diele është bërë njoftimi për mediet për nisjen e këtij procedimi penal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




