Skena të një “lufte civile” janë regjistruar mbrëmjen e sotme në qendër të Torinos, ku protesta e qendrave sociale kundër dëbimit të azilantëve degjeneroi në dhunë.
Dymbëdhjetë protestues u ndaluan nga policia për përplasjen e anarkistëve. Situata vazhdon të mbetet e tensionuar pas gati dy orë “luftimesh”, me guerilët e veshur me helmeta që kanë hedhur shishe, kazanë plehrash, pllaka dhe fishekzjarre në drejtim të policisë.

Me koshat e përmbysur protestuesit krijuan barrikada në rrugët e qytetit, ndërsa nxitën panik midis kalimtarëve dhe banorëve të Torinos. Zona e “Porto Palazzo” u izolua, por një grup i dhunshëm i marshuesve sulmuan një autobus të transportit urban, duke terrorizuar shoferin dhe udhëtarët.
Demonstruesit vandalizuan autobusin dhe hodhën gaz lotsjellës brenda tij. “Asnjëherë nuk kam parë një gjë të tillë. Ata u futën me kapuç, duke shkatërruar gjithçka, unë ende po dridhem”, tha shoferi i autobusit.

Katër vetë janë plagosur në përleshje, tre prej tyre nuk janë në gjeendje serioze, ndërsa një person i katërt është rëndë. Automjetet e emergjencës kanë hasur disa vështirësi në hyrjen në zonën e aksidenteve.
Ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini ka reaguar duke thënë se ata që vepruan në Torino janë kriminelë dhe duhet të kapen menjëherë.

“Torino dhe qytetarët e saj po mbahen peng nga disa qindra kriminelë të qendrave sociale. E gjithë mbështetja ime shkon për Torinon dhe policinë”, tha ai. Zëvendës kryeministri shtoi më tej: “Burg për këta famëkeq. Zbarkimet e klandestinëve nga deti thuajse janë zeruar, tani do të mbyllen qendrat sociale të frekuentuara nga kriminelët”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




