Pritej një fitore e Partizanit në ndeshjen hapëse të javës së 21-të dhe kështu ka ndodhur. Kryesuesit e Superiores kanë mundur Kastriotin 2-0 dhe tani e shohin veten 8 pikë para Kukësit, që ndeshjen me Tiranën do ta luajë të dielën në stadiumin e Kamzës. Kuptohet që tensioni rritet për skuadrën kuksiane, që nuk duhet të mbetet prapa me pikë.

Partizani e ka zgjidhur ndeshjen në pjesën e dytë, falë një eurogoli të mesfushorit Bruno Telushi, i cili ka gjuajtur bukur me të majtën në hyrje të zonës. Pak minuta më pas, Jurgen Bardhi dyfishoi, duke çuar në rrjetë topin e kthyer nga shtylla, pas gjuajtjes së Malës. Dy gola të bukur, që për më tepër janë shënuar para syve të trajnerit të Kombëtares, Kristian Panuçi, i pranishëm në tribunën “VIP” të stadiumit “Selman Stërmasi”, bashkë me ndihmësin e tij Ervin Bulku. Në fokusin e tij me siguri kanë qenë disa nga lojtarët më të spikatur të Partizanit, si Esat Mala, Jasir Asani, Jurgen Bardhi e ndonjë tjetër.

Pas kësaj fitoreje dhe thellimit të distancës me 8 pikë nga vendi i dytë, Partizani pret i qetë ndeshjet e rivalëve. Kundër dëshirës, i duhet të bëjë tifo për Tiranën “armike”, që të dielën luan me Kukësin. Teuta ka një ndeshje më të lehtë në letër, pasi pret Kamzën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




