Futboll

Milionat e futbollistëve, këta janë më të pasurit

Futbolli është sporti më popullor në botë. Ndiqet kudo, diku më pak dhe diku më shumë, por në çdo vend minimalisht është sporti i tretë i preferuar. Ky masivitet kaq i gjerë i futbollit, sigurisht në ditët e sotme përkthehet në para dhe të ardhura që i bëjnë futbollistët milionerë. Në tre vitet e fundit është shfrenuar çdo fantazi në lidhje me shifrat e transferimeve të futbollistëve dhe rrogat e tyre.

Gazeta franceze “L’Equipe” ka bërë publik një raport me 10 futbollistët më të paguar në botë. Rrogat janë vërtetë në shifra shumë të larta, por ai që dominon siç ndodh edhe në fushën e lojës, është argjentinasi Lionel Mesi. Sulmuesi i Barcelonës përfiton në muaj plot 8.3 milionë euro. Ronaldo në këtë garë është shumë më mbrapa se Mesi, pasi nga Juventus ai përfiton vetëm 4.7 milionë euro. Në shkallën e fundit të podiumit është një kampion bote, si Antoni Grizman. Sulmuesi i Atletiko Madrid përfiton 3.3 milionë euro, 240 mijë euro më shumë se Nejmar që është në vendin e katërt me 3.06 milionët që merr nga PSG. Më pas në vendet 5 dhe 6 ndodhen dy sulmues, njëri i Barcelonës, Luis Suarez dhe tjetri i Real Madrid, Gareth Bejl. Në vendin e 7 është sërish një futbollist i Barcelonës, Kutinjo, ndërsa në të tetin gjendet Aleksis Sançes që përfiton plot 1.28 milionë euro nga Manchester United çdo muaj. Në vendin e nëntë është lojtari më i ri i kësaj liste, sulmuesi francez, Kilian Mbape. Lista e futbollistëve milionerë mbyllet nga turko-gjermani Mesut Ozil, i cili përfiton nga Arsenali një rrogë mujore prej 1.06 milionë euro.

Kjo listë dominohet nga La Liga me plot 5 futbollistë që luajnë në kampionat. Është Barcelona ajo që ka më shumë “yje” në këtë listë, me katër të tillë, ndërsa Real Madrid përfaqësohet vetëm me Bejl. Nga Premier Liga janë vetëm dy përfaqësuesit, ashtu si edhe nga Lige 1 edhe pse nga kjo e fundit janë dy futbollistët e PSG. Ndërsa Seria A do duhet të kënaqet vetëm me përfaqësimin në këtë renditje dhe kjo falë Kristiano Ronaldos, që merr 4.7 milionë euro në muaj nga Juventus. Vlen të theksohet se kjo renditje e “L’Equipe” është vetëm për përfitimet që këta futbollistë marrin nga klubet e tyre dhe nuk janë të përfshira marrëveshjet e sponsorizimit që ata kanë me firma dhe produkte të ndryshme. Në këtë drejtim Kristiano Ronaldo nuk do të kishte asnjë rival, pasi mund të quhet me plot gojën një fabrikë e vërtetë parash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë