Portofol

Prodhimi i energjisë diellore, peng i akteve nënligjore

Kanë kaluar dy vjet nga miratimi i ligjit për nxitjen e përdorimit të energjisë së lirë nga burimet e rinovueshme, por shqiptarët vazhdojnë ende të paguajnë shtrenjtë për energjinë.
Kjo sepse edhe pas dy vjetësh, aktet nënligjore të ligjit në fjalë nuk janë prodhuar.

Neni 21, pika 2 thotë që ministri i Energjisë do të duhej që brenda 12 muajve nga miratimi i këtij ligji të zbardhte aktet nënligjore në të cilat është edhe pika 4 e nenit 15.

Inxh. Ismail Beka

“Ajo që ka nevojë sot urgjent Shqipëria është që shteti të vendosë disa rregulla më të lehta për investimet në fushën e energjisë së rinovueshme. Qeveria nuk e ka krijuar ende lehtësinë e administrimit të energjisë që prodhohet vetë me ndërmarrjen e energjisë OSHEE në mënyrë që energjinë që prodhon individi familjar, ose biznesi i vogël të ketë mundësinë ta fusë në sistem dhe me dy sahat të bëjë bilancin vjetor të energjisë që konsumon me energjinë që blen nga sistemi. Edhe pse ka një ligj që e lejon, praktikisht nuk është e zbatueshme”- thotë inxhinier Ismail Beka.

Beka shton se energjia e diellit është pa diskutim një perspektivë reale, veçanërisht në kushtet kur zhvillimet e teknologjisë janë të tilla, që kostot në investimin e pajisjeve të energjisë diellore janë në një trend ulës të vazhdueshëm. Energjia diellore është një alternativë shumë e leverdishme në aspektin mikro, sidomos në sektorin e hoteleri turizmit, ku hotelet e vogla mund ta shfrytëzojnë atë në periudhën e verës. Investimi në panelet diellore ka eficiencë të lartë nga vetë ndërmarrjet ose familjarët, që e përdorin për nevojat e tyre. Beka është i mendimit se vetë bizneset e vogla dhe familjarët do ta çojnë përpara investimin në fushën e energjisë diellore në Shqipëri. Ata do të investojnë me burimet e tyre financiare dhe pa pritur subvencione, megjithëse BE dhe institucione të tjera ofrojnë shumë grante për të nxitur këtë mënyrë prodhimi të energjisë.

Ai sqaron se prodhimi i energjisë përmes impianteve fotovoltaike (panele diellore) do të ishte me leverdi për biznesin e vogël në tërësi pasi bizneset kanë sipërfaqe toke të pashfrytëzuara. Në këtë mënyrë ata do të ulnin kostot dhe vendosnin kapitalet e lira në përdorim.

“Shqipëria ka bërë tendera për parqe të mëdha. Nuk janë ato që zhvillojnë, por janë bizneset e vogla. Duhet të krijohen hapësira që të certifikohen prodhuesit për të investuar në këtë lloj energjie përmes modelit kontraktim të energjisë, ESCO. Nuk është PPP, por kontratë shërbimi”- sqaron inxhinier Beka.

Ai shpjegon se prodhimi dhe përdorimi i energjisë diellore do të jetë një plotësues shumë i mirë në tregun e energjisë, për tre arsye:

Së pari: energjia diellore ka rendimentin më të lartë dhe për pasojë prodhimin më të madh në muajt e verës, kur konsumi i energjisë është më i lartë, si nga konsumatori familjar ashtu edhe bizneset (veçanërisht turizmi) dhe prodhimi i energjisë nga HC është shumë i vogël.

Së dyti: Sistemet fotovoltaike do të instalohen direkt tek konsumatori fundor, pra do të jenë shumë më të vogla humbjet e transmetimit të energjisë dhe parametrat e energjisë elektrike do të përmirësohen.

Së treti: Veçanërisht për bizneset dhe konsumatorët familjarë, do të rrisë komfortin dhe do të nxisë kursimin e përdorimit të energjisë.

Vendi ka relativisht çmime të larta të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë 9,5 lekë/kwh dhe bizneset 14 lekë/kwh. Dhe sipas strategjisë afatmesme të qeverisë, çmimi i energjisë pas tre vitesh pritet të rritet, gjë që favorizon prodhimin e energjisë me panele fotovoltaik.

Por, OSHEE pretendon se ky ligj nuk mund të zbatohet derisa nuk është zbardhur udhëzimi që do të përcaktonte edhe çmimin e energjisë të autokonsumatorit përkatës dhe matjen neto të energjisë që merret dhe jepet nga rrjeti përmes dy sahateve paralel.

Deri në daljen e akteve nënligjore, megjithë potencialet e vendit dhe dëshirën e konsumatorëve për të prodhuar energji përmes diellit, kjo gjë nuk do të jetë e mundur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë