Ekonomi

Ekspertët: Si do të na ndikojë recesioni i ekonomisë italiane

Sabina Veizaj – Ekspertët dhe eksportuesit shqiptarë pajtohen se recesioni i ekonomisë italiane nuk i ka shtrirë tentakulat e ndikimit në Shqipëri. Për ta nuk kemi të bëjmë me krizë të ngjashme me atë të vitit 2008 që kaploi më thellë Greqinë e mandej Italinë.

Pasi kriza e 2008-ës ishte kriza e borxhit të fshehur dhe mungesa e likuiditetit në banka, kurse aktualisht shteti fqinj, po përjeton ngadalësimin e ritmit të rritjes së ekonomisë.
Kriza ekonomike që kërcënon Italinë, kuptohet që mund të ketë ndikim kryesisht në eksportet shqiptare, thotë ish zv/ministrja e financave Irena Beqiraj, pasi Italia, sqaron ajo, është partneri kryesor në tregti.

Irena Beqiraj

Remitancat që vijnë ende nga shteti fqinj, renditen nga Beqiraj si një nga treguesit ku mund të ketë ndikim kriza ekonomike e Italisë nëse zgjat dhe thellohet.

“Së treti, nëse kjo krizë vërtetohet të jetë e thellë, mund të ketë riatdhesim të një pjese të shqiptarëve atje. Kuptohet që mekanizmi i trasmisionit të krizave ekonomike nuk është kaq i shpejtë. Kështu që sektori privat shpresoj të ketë kohë të mjaftueshme në gjetjen e partnerëve zëvendësues qoftë nga kahu i ofertës, qoftë nga kahu i kërkesës”, argumenton Beqiraj, por që kjo për të ngjan me një tablo tepër negative për qasjen pozitive të sajën.

Bardhi Sejdarasi


Edhe Bardhi Sejdarasi mendon se deri tani recensioni italian nuk ka pasur ndikim në ekonominë shqiptare. Por duke gjykuar hipotetikisht nëse recensioni italian do të vijojë, Sejdarasi argumenton se sektori që do të ndikohet janë eksportet. “E dyta, kemi numrin më të madh të subjekteve shqiptare për materialet porositëse nga Italia. Çdo lëkundje, në çdo lloj termi në ekonominë italiane, transmetohet në ekonominë tonë, qoftë në kosnum, qoftë në koston e kontratave. Por që tani nuk ndjehet shumë sepse është efekti i euros”, thotë për Gazetën “Si” Sejdarasi.

Megjithatë, për Sejdarasin kjo trajtë recesioni që ka prekur tani Italinë dhe ka si shkak edhe politikat e qeverisë së re, nuk është shumë shqetësuese, pasi vendi fqinj ka ekonomi të fuqishme, biznesi funksionon shumë mirë.

“Këto janë kriza të tërthorta, minimale.Vetë pozicioni që ka në BE, Italia është e mirëmikqyrur dhe nuk ka mundësi të bëjë shpenzime të tepërta, etj.”- thotë ai.
Florian Zekja, përfaqësues i industrisë fason, thotë se sektori i eksporteve në afatshkurtër dhe afatmesëm nuk kërcënohet nga një ndikim i mundshëm i krizës italiane.

Florian Zekja

Ai argumenton për Gazetën “Si” se kontratat e eksportit me partnerët italianë janë nga 1 vjeçare deri në 5 vjeçare, prandaj partnerët janë të detyruar ti respektojnë.
“Marrëdhëniet tona tregtare me Italinë janë të konsoliduara. Nuk lëviz si treg. Nëse do të vazhdojë 2-3 vjetë rënia e ekonomisë italiane dhe nëqoftëse nuk merren masa nga qeveria e vendit fqinj, do të sjellë ndjenjën e pesimizmit dhe do të ketë tkurrje”, thotë Zekja për Gazetën “Si”.

Për të, sektori që e ndjen më shumë transmetimin e ndikimit të recensionit italian është sektori i modës, pasi është një sezon në avancë, por edhe në këtë sektor sqaron Zekja, deri tani nuk janë shfaqur sinjale të ndikimit.

Italia është partneri i parë trgetar i Shqipërisë për madhësinë e shkëmbimeve të mallrave dhe produkteve. Italia zë 63, 6 % të eksporteve dhe 43, 7 të importeve.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në muajin dhjetor 2018, eksportet me Italinë u rritën 2,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shkëmbimet tregtare, për vitin 2018, me vendet e BE kanë zënë 65,9 % të të gjithë tregtisë. Në periudhën janar-dhjetor 2018, eksportet drejt vendeve të BE-së kanë zënë 76,3 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 60,8 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (34,1 %), Greqia (6,9 %), Gjermania (6,6 %) dhe Kina (6,3 %).

Megjithatë, nëse vëmë re të dhënat e tregtisë të dhjetorit 2018-të, rezulton tkurrje e eksporteve, situatë të cilën përfaqësuesit e bizneseve të eksportit e shpjegojnë me luhatjen e madhe të monedhës euro gjatë vitit që lamë pas dhe mosrimbursimin e faturave të TVSH-së.

Alban Zusi i Qendrës Shqiptare të Eksporteve do të argumentonte se luhatshmëria e euros ka qenë goditja e parë dhe shumë e fuqishme që i është dhënë sektorit që ai përfaqëson përgjatë 2018-ës pasi me rënien e euros ka rënë fuqia konkurruese e bizneseve eksportuese shqiptare.

Dhe mandej, luhatshmërinë e euros, eksperti i Moody’s Ilir Hysa, nuk do ta shpjegonte me faktorë lokalë. Hysa do ta shikonte zhvlerësimin e suros si pasojë e pasigurisë së krijuar nga Brexit, negociatat e gjata e të tensionuara të Italisë për buxhetin dhe valën populiste që ka përfshirë Europën, faktorë të cilët tregojnë për të, se unioni po vuan nga mungesa e mëparshme e stabilitetit.

Që do të thotë, kriza e BE-së na ka vizituar.

Megjithatë, për ekspertët e ekonomisë, recesioni italian nuk parashikohet të thellohet sepse Italia për ta ka treguar që i ka përballuar krizat me sukses.
Ekonomia italiane në tremujorin e fundit të 2018-ës ka regjistruar një tkurrje 0,2%.
Sipas raportimit të Istat bazuar në të dhënat provizore, bëhet fjalë për një tkurrje që ndodh për të dytin tremujor radhazi pas -0,1% të periudhës korrik-shtator.

Italia ka hyrë në recesion teknik pas pesë vjetësh (mbi bazën e prirjeve PBB në fakt është rritur 0,1% dhe ndryshimi i fituar për 2019-ën është vlerësuar prej Istat i barabartë me -0,2%).

Këtë rezultat zv kryeministri italian Di Maio ia ka faturuar qeverisë së mëparshme që sipas tij ka gënjyer në mënyrë të vazhdueshme në lidhje me gjendjen e ekonomisë në vend.
Kurse ish-kryeministri Italian Matteo Renzi do të përgjigjej se “Që prej ardhjes së qeverisë së re, Italia ka humbur 76 mijë vende pune (të dhënat zyrtare të Istat) dhe PBB është për të dytën herë negative. Jemi në recesion. Kush e do Italinë e di që zgjedhjet ekonomike të Salvinit e Di Maio-s janë të gabuara. Me zgjedhjet tona katërmbëdhjetë tremujorë në rritje, me zgjedhjet e tyre, menjëherë në recesion. Po e mbarojnë ekonominë: le të ndryshojmë rrugë sa nuk është tepër vonë”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë