Futboll

Aksident me makinë, sulmuesi i Juventusit përfundon në spital

Sulmuesi i Juventusit, Dagllas Kosta është përfshirë në një aksident automobilistik në autostradë. Mediet italiane shkruajnë se sulmuesi brazilian ka qenë duke udhëtuar në aksin rrugor Livorno Ferraris – Santhia. “La Stampa” shkruan se Kosta ishte i vetëm me makinën e tij, të llojit Jeep Cherokee dhe është goditur lehtë nga një makinë tip Fiat Punto. Sulmuesi bardhezi mësohet se nuk ka pësuar dëmtime të rënda, por gjithsesi ai është shoqëruar në qendrën shëndetësore më të afërt. Sakaq gjendja e shoferit të makinës tjetër është më e rëndë dhe ai është dërguar në spitalin e Torinos për një mjekim më të specializuar.

Në qendrën spiatlore ku u shoqërua Kosta mediet në Itali shkruajnë se kanë shkuar menjëherë agjenti i tij dhe disa nga drejtuesit e Juventusit, për të parë nga afër gjendjen e brazilianit. Dagllas Kosta është te Juventus në sezonin e tij të dytë, pasi u largua në verën e vitit 2017-të nga Bajerni i Mynihut. Këtë vit ai nuk ka qenë gjithmonë zgjedhje e parë e Alegrit për shkak të rivalitetit të madh në sulmin e Juventus me Paulo Dybala.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë