Ngjarje

Filologjiku përkrah Shkencave Sociale në grevë pa afat

Turet e kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Bashkisë së Tiranës nëpër fakultete dhe konviktet e studentëve, duket se nuk i kanë bindur pedagogët se kërkesat e studentëve janë ezauruar.

Në mbyllje të Asamblesë së Pedagogëve, ata kanë vendosur të rikonfirmojnë kërkesat e bëra më herët. Pedagogët u bëjnë thirrje të gjitha asambleve të fakulteteve të tjera të Universiteteve Publike që të mbajnë një qëndrim për ligjin e arsimit të lartë dhe të bashkohen me vendimin e asambleve që janë për grevë.

Asambleja e pedagogëve u kërkon të gjitha autoriteteve të mbajnë qëndrim konseguent për ligjin e arsimit të lartë në përputhje me vendimet e asambleve (Senatit, Rektorit).
Ata kanë ftuar trupën akademike që të kontribuojnë dhe të kenë një angazhim sindikalist e gjithashtu kanë kërkuar ngritjen e një grupi pune për ligjin e arsimit të lartë (që të diskutohen gabimet); grup pune që do të hartojë një dokument me oponencë për ligjin.

Në vendimet e marra në përmbyllje të Asamblesë, pedagogët kërkojnë debat me Komisionin e Edukimit dhe të Mediave për ligjin e Arsimit të Lartë.

Pedagogu Mark Marku, është shprehur për Gazetën “Si” se Fakulteti Filologjik është në krah të Fakultetit të Shkencave Sociale, pro grevës duke iu bashkuar bojkotit me afat të pacaktuar deri në zbatimin e të gjitha kërkesave.

“Asambletë do të mblidhen dhe reagojnë. Ne i jemi bashkuar grevës së sotshme që ka nisur tek Fakulteti i Shkencave Sociale. Janë asambletë që marrin vendimet. Ne ishim përfaqësues së Asamblesë për të koordinuar veprimet e asambleve”, u shpreh pedagogu Mark Marku.

Kurse Pedagogu Arlind Qorri i Fakultetit të Shkencave Sociale tha se “deri javët e kaluara ishte vendimi i studentëve për grevë, ne i jemi bindur vullnetit të studentëve jemi solidarizuar me ta. Sot përpos vullnetit të studentëve që është për bojkot, ne si Asamble e Fakultetit kemi vendosur të hidhemi në grevë pa afat deri në rrëzimin e ligjit të Arsimit të lartë, respektimin e autonomisë universitare si dhe respektimin e kërkesave demokratike dhe ekonomike të studnetëve.”

Pedagogu Qorri u shpreh se fakulteti ku ai bën pjesë u ka bërë thirrje Asambleve të Fakulteteve të Universiteteve Publike që të mbledhin Asambletë dhe brenda kuadrit ligjor dhe statutor të shpallin grevë.

“Nëse kjo ndodh – tha ai – besoj do të kemi fuqinë e mjaftueshme, që ta bëjmë qeverinë të na dëgjojë. Ne nuk kemi qeveri të na dëgjojë se ka dëshirë, nuk kemi qeveri që është minimalisht e arsyeshme dhe do interesin publik, që të mjaftohet me argumentet tona, ne do të japim argumentat tona. Ky është një raport dialektik forcash, ne jemi të sigurt që të drejtën e kemi me vete. Të drejtën e kemi pasur gjithmonë me vete kundër qeverisë. Por sot kemi mundësi të kemi edhe fuqinë me vete. Qeveria mbetet lakuriq me ushtarë e policë e administratorë. Do të ketë përballë vullnetin e përbashkët të universitarëve për një Universitet të Ri.”

Qorri ka akuzuar strukturat qeveritare dhe ato partiake për kërcënim ndaj pedagogëve dhe studnetëve. “Ne po punojmë që të nxisim kolegët tanë që të solidarizohen me nsimën, pavarësisht se presionet janë dhe kanë qenë të shumta, madje edhe brenda fakultetit të Shkencave Sociale. Ka kolegë që u bie telefoni, ka studentë që u bie telefoni, që i kanosin, që ju kujtojnë vendin e punës, rrogën, ky nuk është moment për të pasur frikë, sepse ne jemi të gjithë bashkë”, tha pedagogu Qorri.

Pedagogët do t’i linin afat Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë deri më datën 1 shkurt për të reaguar në lidhje me kërkesat e tyre, në të kundërt do të nisnin grevën e tyre në mbështetje të kërkesave të studentëve, dhe për rrëzimin e ligjit të Arsimit të Lartë.
Me vendim të Asamblesë së Pedagogëve, një grup pedadogësh të Universitetit të Tiranës nisën grevën. Ata i patën lënë një afat një javor ministres së Arsimit, Besa Shahini për të pranuar kërkesën e tyre lidhur me ndryshimet në ligjin e Arsimit të Lartë. Ky ultimatum skadoi të premten në orën 16:00.

Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, Asambleja e Pedagogëve vendosi të nisë grevën, duke bojkotuar mësimin në fakultete. Asambleja e Pedagogëve të UT i ka bërë thirrje të gjithë pedagogëve të universiteteve të vendit, për t’iu bashkuar kësaj greve.

Vendimet e Asamblesë së Pedagogëve:

  • Të nisin grevën e pedagogëve
  • T’u bëjnë thirrje asambleve të të gjitha fakulteteve të UT që të mblidhen sa më parë për të koordinuar veprimet
  • T’u bëjmë thirrje të gjitha asambleve dhe pedagogëve të Universiteteve Publike që t’i bashkohen grevës së përgjithshme

Ministrja e Arsimit Besa Shahini takoi një grup pedagogësh si Jani Marka, Mark Marku, Rezart Prifti, Jani Marka, Altin Shegani, Marinela Shota dhe Erika Bejko. Pas këtij takimi, ministrja tha se bojkoti nuk është mënyra dhe mjeti i duhur për të arritur një zgjidhje pasi qeveria ka premtuar që do t’i mbështesë. Por nga ana tjetër, pedagogët deklaruan se nga takimi nuk pati zgjidhje dhe se ata tashmë do vendosnin për grevën para dy ditëve


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë