Partizani duket i vendosur për t’i shkuar deri në fund këtij kampionati për të marrë titullin kampion. Të kuqtë kanë marrë edhe këtë herë tre pikët e radhës përballë Kamzës. Ka mjaftuar triumfi 1-0 për ekipin e Skënder Gegës që ruan distancën me ndjekësit më të afërt, Kukësin. Ndërkohë Luftëtari ka dhuruar këtë të diele surprizën më të madhe të kësaj jave, duke mposhtur Lacin në shifrat 0-2.
Pjesa e parë do të ishte nën pritshmëritë për Partizanin. Ishin kamzalinjtë ata që i patën të parët rastet për shënim. Në disa momente ekipi i Ernest Gjokës i shkoi shumë pranë golit, por nuk ia doli dot. “Të kuqtë” nga ana tjetër u zgjuan vetëm në fundin e 45 minutave të para, por sërish pa ndonjë rrezikshmëri të madhe.

Me fillimin e pjesës së dytë Partizani hyn me ide më të qarta në lojë. Gega hedh në fushë Mensah dhe ekipi i tij është më agresiv në fushë. Pas kësaj loje të Partizanit do të vinte edhe goli. Ishte i zakonshmi Asani, gjuajtja e të cilit shkoi në rrjetë e ndihmuar edhe nga një devijim. Pas këtij goli të pësuar, Kamza mundohet të reagojë, por nuk e pati forcën e duhur. Partizani do të kërkonte edhe golin e sigurisë në minutat në vazhdim, por shifrat do të mbeteshin të pandryshuara me “demat” që vazhdojnë të vetëm në krye të tabelës drejt titullit kampion. Sakaq te Kamza situata është e nderë pas kësaj humbje dhe trajneri Gjoka ka paralajmëruar dorëheqjen nëse gjendja brenda në klub nuk ndryshon.

Në ndeshjen e zhvilluar në Kurbin, askush nuk e kishte pritur mes Laçit dhe Luftëtarit, fitues të dilnin miqtë nga Gjirokastra. 2-0 ka fituar Julian Ahmataj në debutimin e tij në stolin gjirokastrit, duke rritur kështu shpresat për një qëndrim në Superligë. Golat për Luftëtarin u shënuan në pjesën e parë nga Kocionis dhe Aleksi. Me këtë fitore ekpi “bluzi” ngjitet në kuotën e 20 pikëve, një më pak se Tirana dhe katër më shumë se Kastrioti i parafundit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




