Project C.U.R.E. organizata më e madhe në Amerikë që dërgon ndihma dhe pajisje mjekësore falas në spitalet në nevojë nëpër botë, ka ngritur një peticion, kundër Qeverisë Shqiptare që i kërkon përjashtim të detyrimeve doganore për ndihmat Humanitare.
Ky peticioni erdhi për shkak se në 10 Janar të këtij viti, një kontenier me ndihma humanitare për spitalin e Kavajas arriti në portin e Durrësit. Kontenieri me 826 pajisje mjekësore u dhurua pas një vlerësimi të nevojave që një ekspert i organizatës bëri në spital vitin e kaluar. Diaspora Shqiptare që jeton në SHBA mblodhi fonde për te mbuluar koston e transportit të këtyre ndihmave humanitare për spitalin e Kavajës.

Sipas organizatës, ky është donacion dhe si e tille nuk ka asnjë vlere komerciale. Megjithatë, Kodi Doganor i Shqipërisë, ndryshe nga vendet e tjera, nuk përjashton ndihmat humanitare nga detyrimet doganore. Ministria e Shëndetësisë ka cilësuar në fundvitin e shkuar se nuk kishte buxhet për të bërë pagesën, pasi nuk ishte miratuar buxheti i shtetit për vitin 2019. Por ndërkohë që buxheti u miratua që vjet, ky problem ende nuk është zgjidhur dhe kontenieri vazhdon të qëndrojë në portin e Durrësit.
Edhe drejtori i spitalit të Kavajas në një deklaratë për mediet është shprehur se i ka bërë vazhdimisht kërkesë qeverisë për zhdoganimin e materialeve mjekësore, por ka marrë përgjigjën se kërkesa e tij nuk gjen mbështetje ligjore për mallrat të cilat kërkojnë përjashtim.
Drejtuesit e Organizatës shprehen se nëse do të ekzistonte ky përjashtim, ndihmat humanitare do të ishin duke i shërbyer njerëzve tashme që kanë aq shume nevojë për ndihmë mjekësore në Shqipëri dhe konkretisht në Kavajë.
Project C.U.R.E. është cilësuar si organizata më e madhe në Amerike, e themeluar në vitin 1987, që ka dërguar ndihma humanitare në 123 vende të botës. Gjatë vizitës së parë në Shqipëri, vullnetarët e organizatës kanë parë probleme të ndryshme, të cilat janë të pranishme prej një kohe të gjatë në spitalet e vendit tonë. Në këtë mision të parë ata janë përballur me barriera të shumta legjislative. /Change.org/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



