Ngjarje

Edhe NYT shkruan për grupin kriminal që trafikonte emigrantë

Një ndër operacionet më të rëndësishme të policisë së shtetit në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, për arrestimin e 32 personave të cilët merrnin shuma të mëdha për të siguruar pasaporta false dhe më pas për të trafikuar emigrantë, nuk ka kaluar pa u pasqyruar edhe nga mediat e huaja. The New Yorks Time ka shkruar për operacionin e koduar “Rruga e Gabuar”, që është vazhdimësi i një aksioni policor i cili ka nisur që prej vitit 2018.
Nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, qytetarët shqiptarë që nuk mund të udhëtonin në një nga vendet e zonës Shengen trafikoheshin në SHBA, Kanada dhe vendet e bashkimit Europian.
Luigi Soreca, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, ka përshëndetur aksionin e policisë duke postuar në rrjetin social Twiter edhe shkrimin e NYT. Ai e cilëson këtë ngjarje tepër të rëndësishme dhe bën thirrje që prokuroria duhet ta ndjekë deri në fund. Sipas tij, lufta kundër krimit duhet të jetë prioritet në Shqipëri.

Policia e Shtetit dhe Prokuroria arrestuan një ditë më parë 32 persona, anëtarë të një grupi kriminal, i cili përbëhet nga 36 anëtarë nga të cilët 32 janë arrestuar dhe 4 janë në kërkim. Nga personat e arrestuar 1 është punonjës i policisë kufitare. Ndërkohë u zbuluan dhe sekuestruan 4 laboratorë në Shqipëri që shërbenin për falsifikimin e dokumenteve, pajisje të ndryshme si skaner, fotokopje, një sasi e madhe parash cash, certifikata, karta identiteti, një numër i konsiderueshëm dokumentesh të personave si dhe një armë zjarri automatik.
Operacioni u zhvillua në disa qytete të vendit, në Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Fier, Berat, Lushnjë, Krujë, Elbasan, Tiranë, Korçë, etj.
Anëtarët e këtij grupi kriminal, pasi i pajisnin shtetasit me dokumente identifikimi të falsifikuara, kundrejt përfitimit monetar u krijonin kushtet në mënyrë të paligjshme të udhëtonin drejt vendeve të BE-së, me linja ajrore ose tokësore e më pas drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke paguar shuma të konsiderueshme nga 10 mijë paund për në Mbretërinë e Bashkuar, deri në 20 mijë euro për në SHBA e Kanada.
Policia e shtetit tha se ky grup kriminal ka pajisur me dokumente të falsifikuara edhe shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Nisja e personave me dokumente të falsifikuara bëhej nga Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Greqia, Franca dhe Norvegjia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë