Që nga momenti i ngjitjes në Kategorinë Superiore dhe në gjithë këto vite Kukësi ka qenë një ekip shumë kompetitiv dhe në mesin e më të mirëve. Në sezonin 2016-17, verilindorët u shpallën kampion, ndërsa në të gjithë sezonet e tjera që nga viti 2012 kanë qenë gjithmonë në tre vendet e para të Superligës. Por këtë vit, duket se në Kukës janë duke menduar për të nisur një projekt ndryshe dhe me përmasa akoma edhe më të mëdha. Sinjalet në fakt ishin të qarta që më herët, duke filluar nga plani për stadiumin dhe më pas merkato me shpenzime relativisht të larta për nivelin e kampionatit shqiptar.

Stadiumi i ri
Ka gati një vit që në Kukës flitet për një stadium të ri. Në fillim qarkulluan disa projekte për impiantin e ri në qytetin verilindor, por vetëm në muajin korrik të vitit të shkuar u konkretizua projekti. Do të jetë impianti i katër modern në vendin tonë, pas atyre në Elbasan, Shkodër dhe Tiranë. Një stadium me 6 mijë vende të ulura dhe një pjesë të mbuluar që do i garantojë Kukësit mundësinë që të luajë në stadiumin e tij edhe ndeshjet në Kupat e Europës. Projekti është një nismë që do të financohet nga qeveria shqiptare, Federata shqiptare dhe futbollit dhe Bashkia e Kukësit, që është pronarja e ambienteve.

Disa ditë më parë presidenti i Kukësit, Safet Gjici në një intervistë tha se ka filluar puna në terren me studimin, proces që i paraprin fillimit të punimeve. Për Gjicin kjo gjë do duhej të ishte bërë edhe më herët, por gjithsesi është një lajm i mirë për klubin që ai drejton, por edhe për vetë qytetin e Kukësit në tërësi. Sipas Gjicit impianti i ri modern do të jetë gati për ndeshjet e para të sezonit të ardhshëm. Kjo deklaratë e tij shkon në sinkron edhe me vendimin e qeverisë shqiptare, që ka lëvruar fondin prej dyqind milionë lekëve. Vendimi është botuar më datë 30 janar në Fletoren Zyrtare dhe në ditët në vijim pritet vetëm zbatimi për të transferuar fondet në buxhetin që do të shërbejë për të financuar ndërtimin e stadiumit. Në vendimin e qeverisë ngarkohen tre ministri, Bashkia Kukës dhe FSHF për të mbikëqyrur ecurinë e punimeve në këtë vepër. Përveç kësaj shumë të akorduar nga qeveria shqiptare, pjesa tjetër e fondit do të plotësohet nga FSHF në ditët e ardhshme, pasi ka rënë dakord që të investojë në përmirësimin e kushteve të këtij stadiumi.

Merkato me shumë shpenzime
Quhet Valdet Rama, përforcimi më i fundit i Kukësit në merkaton e këtij dimri. Skuadra verilindore ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me ish-futbollistin e ekipit kombëtar.
“Klubi njofton arritjen e marrëveshjes me Valdet Ramën. Mesfushori ka firmosur kontratën me skuadrën tonë deri në përfundim të Kampionatit dhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës, me opsion rinovimi edhe për një vit. Futbollisti i lindur në Mitrovicë vjen nga skuadra e YB Funde e Kinës dhe do ti bashkohet menjëherë ekipit tonë”- shkruhet në njoftimin e Kukësit që bën me dije marrjen e Valdet Ramës.

Valdet Rama është një futbollist me karrierë të pasur në Europë, ku ka luajtur disa sezone në kampionate të rëndësishme, si Spanjë apo Gjermani. Rama luan si në fashat e sulmit, por edhe në rolin e fantazistit dhe mund t’i bëjë shumë punë trajnerit Armando Cungu. Me këtë afrim Gjici e bën të qartë objektivin e tij për titullin kampion. Por tregues i këtij objektivi nuk është vetëm afrimi i Valdet Ramës.

Më herët Kukësi kishte marrë dy nga lojtarët më të mirë të Superligës, Eduard Rroca dhe Vasil Shkurtaj. Të dy ish-futbollistët e Luftëtarit konsiderohen si ndër më të mirët në rolet e tyre në Superligë dhe për Kukësin mund të konsiderohen si dy goditje shumë të rëndësishme. Me këto tre afrime Kukësi bëhet ekipi me sulmin më të frikshëm të Superiores dhe lufta për titullin kampion bëhet një detyrim edhe pse 5 pikët diferencë me Partizanin janë një handikap jo lehtë i kalueshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




