Dënimet e Komisionit të Disiplinës pas rifillimit të kampionat nuk kanë mundur të bëjnë dallimin mes sharjeve dhe gjuajtjeve me sende të forta. Pas mbylljes së javës së parë të fazës së tretë të Superligës, për rastet e shkeljes së rregullores Komisioni i Disiplinës ka shpallur vendimet. Nuk ka dënime të rënda, por vetëm gjoba, pezullime individësh dhe disa paralajmërime.
Nga ajo që u pa ndeshjen Kukësi-Laçi të zhvilluar në stadiumin e Kamzës të gjithë me siguri kanë pritur që klubi verilindor të merrte një dënim më të fortë se 2 milionë lekë të vjetra gjobë. Kështu me këtë dënim, Komisioni i Disiplinës nuk ka mundur do të bëjë dallime në interpretimin e Nenit 66/1, mes sharjeve të tifozëve dhe gjuajtjeve të një zyrtari të ndeshjes. Anësori Denis Rexha u godit me sende të forta nga tifozët kuksian dhe ndeshja u ndërpre për disa minuta.

Ky incident, nuk është vlerësuar si shumë i rëndë nga Komisioni që është mjaftuar vetëm me gjobën prej 2 milionë lekë të vjetra. Vendimi lë vend për habi nëse sjellim ndër mend raste të ngjashme të më hershme, ku për klube të tjera dënimi ka qenë shembullor. Partizani luajti pa tifozë dy ndeshje vetëm se disa tifozë të paidentifikuar shpalosën një banderolë kundër një Kostandinos Kacifas.
Me “hatër” Komisioni i Disiplinës nuk ka mbajtur vetëm Kukësin, pasi edhe Skënderbeu ia ka “hedhur paq”. Gjatë ndeshjes Skënderbeu-Partizani tifozët gjuajtën me topa bore drejt lojtarëve. Dakord, një top bore nuk mund të lëndojë lojtarin apo një zyrtarë të ndeshjes, por gjesti është i dënueshëm dhe 2 milionë lekë gjobë duken shumë pak.

Nga gjoba edhe pse vetëm në shifrën e 1 milionë lekëve, nuk ka shpëtuar as Tirana, Teuta dhe Kamza për dështim në përgjegjësitë e organizimit të ndeshjes. Kryesuesit e kampionatit, Partizani këtë herë kanë shpëtuar me vetëm me një paralajmërim për të mos i përsëritur gabimet e kësaj javë që shkoi. Dënimi më i ashpër që mund të konsiderohet për këtë javë nga Komisioni i Disiplinës është ai ndaj presidentit të Laçit, Pashk Laska. Kreu i kurbinasve për shkak të protestës që bëri në ndeshjen e fundit ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Dënimeve të Komisionit të Disiplinës nuk i kanë shpëtuar edhe Vllaznia, Egnatia apo edhe Shënkolli në Kategorinë e Parë.

Përveç dënimeve me karakter disiplinor, një pikë shumë e rëndësishme te vendimet e KDS këtë javë ishte edhe pranimi i kërkesës së lojtarit Gjergji Muzaka që detyron Tiranën të ekzekutojë pjesën e mbetur të detyrimeve financiare ndaj kërkuesit Gjergji Muzaka sipas vendimit Nr.1 datë 23.01.2017 të DHKZK brenda një afati 30 ditor, duke nisur nga data e shpalljes së këtij vendimi. Paralajmërohet “K.F Tirana”, se me kalimin e afatit 30 ditor, do të merren masat përkatëse në bazë të Kodit të Disiplinës Sportive.
(Vendimet e Komisionit të Disiplinës)

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





