Politike

Rama hakmerret ndaj Metës, i rrëzon dekretin e dytë për KLSH

Bledar Hoti- Mazhoranca rrëzoi dekretin e dytë të presidentit Ilir Meta për emërimin e Bahri Shaqirit në postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë Shtetit.
Komisioni parlamentar i Ekonomisë vendosi vetëm me shumicën e votave të socialistëve të mos e pranojë dekretin e presidentit Ilir Meta, pasi sipas tyre kandidatura e paraqitur nuk plotëson kriteret ligjore për t’u caktuar në krye të këtij institucioni.
Sot paradite u zhvillua seanca dëgjimore me kandidatin e propozuar për këtë post, ku në komisionin e Ekonomisë. Bahri Shaqiri gjatë fjalës së tij deklaroi se i përmbush të gjitha kriteret për ushtrimin e kësaj detyre që i është besuar nga ana e Presidentit.
Pas këtij prezantimi të shkurtër, deputetët kanë nisur diskutimet e tyre për këtë kandidaturë. Të pranishëm nga opozita kanë qenë vetëm dy deputetët e LSI-së, Përparim Spahiu dhe Edmond Haxhinasto. Spahiu në diskutimin e tij u shpreh se mazhoranca e ka paravendosur qëndrimin e saj, pasi disa ditë më parë ka pasur një deklaratë nga ana e kryekomisionierit të Ligjeve, socialistit Ulsi Manja, i cili paralajmëroi rrëzimin e kësaj kandidature.
Ndërsa deputeti Haxhinasto ka vlerësuar se kandidatura e tij plotëson të gjitha kriteret e parashikuara në Ligj.

Pas kësaj, kreu i komisionit të Ekonomisë, socialisti Arben Ahmetaj ka lexuar raportin paraprak në lidhje me propozimin e Shaqirit në detyrën e kreut të KLSH, duke theksuar se kandidatura e tij nuk plotëson kriterin ligjor.
Ahmetaj ka nënvizuar si mangësi kryesore mos përvojën e tij në fushën financiare dhe të auditit, si kriter i pazëvendësueshëm për atë që do të jetë në krye të KLSH-së.


“Plotëson kushtin për arsimimin, ka disa kualifikime në fushën e sigurisë së marrëdhënieve ndërkombëtare. Nuk ka dënime, për shkak të funksioneve të larta që ka mbajtur, por nuk ka përvojë financiare, për organizimin dhe funksionimin e KLSH. Angazhimet janë të fokusuara në fushën e sigurisë, por jo në ato të parashikuara nga ligji për KLSH. Eksperienca në legjislacionin financiar është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme me aftësi të tjera. Ai është larg specifikës financiare dhe auditimit financiar dhe i performancës. Ai rezulton të ketë certifikatën si auditues, por nuk e provon se Shaqiri e ka ushtruar një profesion të tillë”, theksoi Ahmetaj.

Sipas nenit 20 të ligjit për KLSH-në, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit duhet të zgjidhet shtetasi shqiptar, që plotëson kushtet e mëposhtme: a) ka arsim të lartë në ekonomi, financë ose drejtësi; b) përvojë profesionale në çështje financiare; c) ka kualifikime të larta profesionale dhe përvojë pune në profesion jo më pak se 10 vjet; ç) gëzon integritet të lartë moral dhe profesional; d) nuk është dënuar më parë për kryerjen e një krimi me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Kjo është edhe referenca që mazhoranca bazohet në rrëzimin e kandidaturës së Shaqirit. “Në çdo rast eksperienca e Bahri Shaqirit mund të vlerësohet për pozicione dhe kategori të tjera, por jo në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Kështu që duke iu referuar të gjithë tagrit kushtetues të këtij komisioni, ky komision, i dërgon seancës për mosmiratimin e kandidaturës së tij”- tha Ahmetaj.
Pro rrëzimit të kësaj kandidature votuan 12 deputetë të PS-së, ndërsa 2 të LSI-së votuan pro.
Tani raporti i Komisionit të Ekonomisë do të votohet në seancën parlamentare të së enjtes.
Të gjithë deputetët socialistë votuan pë rrëzimin e kandidaturës së Shaqirit. Më 19 Janar presidenti Ilir Meta propozoi emrin e Bahri Shaqirit. Fillimisht kjo kandidaturë u kontestua nga ana e kryekomisionierit Ulsi Manja.
“Kandidatura e Bahri Shaqirit për Kontrollin e Lartë të Shtetit, përveçse është një kandidaturë me profil të lartë politik pasi vjen nga forumet drejtuese të LSI, ka edhe një problem serioz kushtetues. Kushtetuta e përcakton qartë si kriter të kandidatit për drejtimin e KLSH, ekspertizën në fushën e financave. Mbase z. Shaqiri ka punuar me financat e LSI dhe këtë mund të ketë pasur parasysh, kryetari në distancë i LSI, Presidenti Meta, kur e ka propozuar. Por e para s’ka të dhëna publike për këtë aktivitet, dhe e dyta edhe sikur të na i vinte në dispozicion këto të dhëna LSI-ja, sidoqoftë kjo nuk do ta zgjidhte problemin kushtetues të kandidaturës. Madje mund ta komplikonte atë”, do të reagonte Manja nëpërmjet një postimi në Facebook.

Faksimile e reagimit të Ulsi Manjës për kandidaturën e Shaqirit

Më tej ai do të theksonte se “është shqetësues fakti se, në mënyrë të përsëritur, për të disatën herë radhazi, Presidenti Meta po manifeston një mungesë të theksuar vullneti për ta lexuar shqip Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ky po që është një problem edhe më i madh se sa pamundësia për t’i dhënë OK kandidaturës së këshilltarit te tij”.
Bahri Shaqiri aktualisht këshilltari i Presidentit për Çështjen e Sigurisë, ka mbajtur postin e shefit të Shërbimit Sekret Shqiptar për rreth 7 vite nga 2005-2012.


Ky është dekreti i dytë që mazhoranca i rrëzon presidentit të Republikës, Ilir Meta. Fillimisht e majta u shpreh kundër propozimit të parë për të caktuar në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj.

Argumenti ishte se e propozuara ishte anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe se largimi nga ky institucion mund të shkaktonte krizë.

Marrëdhëniet mes Presidentit dhe mazhorancës socialiste janë përkeqësuar dhe kjo për faktin e debateve dhe mos pajtimeve që kishin për emërimin e ministrave. Presidenti refuzoi të dekretonte emrin e Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm, duke e cilësuar si një figurë të papërshtatshme dhe që nuk plotëson kriteret për të ushtruar një detyrë të tillë. Kjo solli edhe një konflikt dhe akuza ndërmjet kryeministrit edhe presidentit.


Ngërçi u zgjidh vetëm me tërheqjen e pjesshme të Ramës, i cili paraqiti kërkesën që ta ushtronte ai detyrën e ministrit të Jashtëm. Ndërsa e majta ka bërë të ditur se këtë përplasje kushtetuese do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.
Tashmë mes dy institucioneve ka një ndasi të qartë pasi për çdo veprim të presidentit, qoftë me kthim mbrapsht të ligjeve për rishqyrtim apo për mos emërim të ministrave, mazhoranca ia kthen me të njëjtën monedhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë