Politike

Kreu i KLSH, Meta sfidon PS-në, propozon Vitore Tushën

Një anëtare të Gjykatës Kushtetuese në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky është propozimi i presidentit Ilir Meta për Parlamentin, i cili ka firmosur dekretin për emërimin e Vitore Tushës në krye të KLSH-së.

Pas takimit me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, presidenti Meta, si për të konfirmuar se biseda me të ka qenë kreun e KLSH-së, bëri të ditur se ka përzgjedhur kandidaturën për t’ia paraqitur Parlamentit për votim.

“Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 162 pika 2 të Kushtetutës, si dhe të nenit 19 pika 2, të ligjit nr.154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, pas shqyrtimit të të gjithë kandidaturave që kanë shprehur interesin, në përfundim të procesit vlerësues me Dekretin nr. 10929, datë 05.11.2018, ka vendosur që zj.Vitore Tusha t’i propozohet Kuvendit të Shqipërisë për t’u zgjedhur në pozicionin Kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në këtë përzgjedhje, kreu i Shtetit është ndikuar nga fakti se Vitore Tusha, aktualisht anëtare e  Gjykatës Kushtetuese ka kaluar me sukses procesin kalimtar të Vettingut.  “Presidenti pas realizimit të një procesi transparent dhe objektiv, ka arritur në konkluzionin se, Doktore e Shkencave Juridike znj.Vitore Tusha plotëson kushtet dhe kriteret ligjore, si dhe është kandidatura më e përshtatshme për t’u zgjedhur në këtë pozicion kushtetues, bazuar në eksperiencën solide dhe kontributin e pandërprerë të znj.Tusha, në fushën e jurispudencës, si në sistemin gjyqësor, ashtu dhe referuar angazhimeve të saj akademike si pedagoge në institucionet e arsimit të lartë në fushën e së drejtës, trajnuese dhe pedagoge në Shkollën e Magjistraturës, apo edhe si eksperte në fushën e së drejtës kushtetuese e më gjerë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Vitore Tusha duke dalë nga procesi i vlerësimit Vettingut

Tusha është aktualisht anëtare në detyrë në Gjykatën Kushtetuese, pasi i ka mbaruar mandati në këtë funksion që prej datës 10 mars 2017. Nëse ajo zgjidhet në këtë post, atëherë Gjykata Kushtetuese rrezikon të mbesë me një anëtar, vetëm me kryetarin Bashkim Dedja. Por edhe pse e kaluar Vettingun, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) e ka ankimuar vendimin e KPK-së, duke kërkuar përjashtimin e Dedjes nga sistemi i drejtësisë.

Nëse rrëzohet vendimi i KPK-së për Dedjen dhe Tusha zgjidhet si kryetare e KLSH, atëherë Gjykata Kushtetuese shkrihet tërësisht.

“Duke zgjedhur një kandidaturë si znj.Tusha larg çdo angazhimi partiak në të kaluarën, Presidenti beson se kontribuon për garantimin e pavarësisë së këtij institucioni shumë të rëndësishëm kushtetues. Presidenti i Republikës gjen rastin të falënderojë të gjithë aplikantët e tjerë që kanë shprehur interesin për të marrë pjesë sipas thirrjes së hapur prej tij, disa prej të cilëve janë personalitete të njohura publike dhe me kontribute të shquara në fushat e ekonomisë dhe drejtësisë”, deklaron Presidenca.

Kush është Vitore Tusha?

Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese ka lindur më 26.11.1960 në Tiranë. Është diplomuar në vitin 1983 në Fakultetin e shkencave Politike-Juridike, dega Drejtësi. Nga viti 1983 deri në vitin 1990, ka ushtruar detyrën e Përmbarueses Gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Tiranë dhe më pas deri në vitin 1992 ushtroi profesionin e avokatit. Në periudhën 1992-1994 ka ushtruar detyrën e gjyqtares në Gjykatën e rrethit Tiranë dhe në vitet 1994-2001 atë të gjyqtares në Gjykatën e Kasacionit. Në vitet 1999-2001 ka qenë kryetare e Kolegjit Civil të kësaj gjykate.

Në vitin 1997 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike”. Në vitin 2004 zgjidhet nënkryetare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Nga viti 1986 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Civile dhe Procedurës Civile pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës.

Është bashkautore në hartimin tekstit Procedura Civile. Ka marrë pjesë me cilësinë e ekspertes ligjore në hartimin e disa projektligjeve. Në mars 2008 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Ajo ishte para nga radhët e Gjykatës Kushtetuese që iu nënshtrua procesit të Vettingut, ku në 5 prill 2018, KPK-ja e vlerësoi si të pastër figurën e saj.

Por, Tusha mbahet mend si gjyqtarja që  nëntor të vitit 1995 rrëzoi kërkesën e ish-Kryeministrit Fatos Nano, i cili kërkoi lirim të parakohshëm nga burgu pasi ishte dënuar me 12 vite heqje lirie.

Ish-kryeministri Fatos Nano në sallën e gjyqit

Meta teston mazhorancën

Për postin e kreut të KLSH-së kishin paraqitur kandidaturën edhe deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli, si dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Në listën e gjatë ishte edhe emri i këshilltarit të presidentit për Sigurinë Kombëtare, Bahri Shaqiri, i  cili më parë ka mbajtur edhe postin e shefit të Shërbimit Sekret.

U përfol se Angjeli do të ishte kandidati i përzgjedhur, nisur nga fakti se deputeti socialist kishte marrëdhënie të mira me kreun e shtetit, por dhe emri i tij do t’i detyronte socialistët që ta votonin në krye të KLSH-së.

Siç duket për shkak të debatit dhe përplasjeve politike mes Presidentit dhe mazhorancës emri i tij ka rënë. Gjithashtu si pasojë e kësaj logjike, mund të jetë rrëzuar edhe emri i këshilltarit tw Presidentit, Bahri Shaqirit, kjo për faktin se Meta nuk pranoi të dekretonte si ministër të Brendshëm, Sandër Lleshin, këshilltarin për Sigurinë të Kryeministrit.

Dekreti i Metës për emërimin e kreut të KLSH-së pritet të votohet nga Kuvendi. Sipas nenit 162 të Kushtetutës:  1. Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar. Ai u nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. 2. Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës. Ai qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

Presidenti, pas njohjes së faktit se kryetar aktual i KLSH-së, Bujar Leskaj kishte deklaruar se nuk do të rikandidonte shpalli garën për paraqitjes së kandidaturave. Pas këtij procesi publikoi më 2 nëntor listën e 34 konkurrentëve që sipas tij përmbushin kriteret ligjore për t’u zgjedhur në krye të KLSH-së.

Pas mbylljes së këtij procesi, Presidenti nxori dekretin për t’i propozuar Parlamentit emrin e Vitores Tushës.

Kreu i shtetit e  firmosi këtë dekret, pasi pati një takim një orësh me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi në zyrën e Presidentit. Nuk ka ende ndonjë njoftim nëse emri i Tushës, ka marrë pëlqimin paraprak të kryeparlamentarit Ruçi, por dekreti i nxjerrë së fundmi shihet si një sfidë ndaj mazhorancës.

Presidenit Meta duke përrcjellë kryeparlamentarin Ruçi pas takimit në Presidencë

Ky propozim vjen në një moment kur tensionet mes Kryeministrit dhe Presidentit kanë arritur kulmin, pas refuzimit për të dekretuar Sandër Lleshin në postin e ministrit të Brendshëm. Meta deklaroi se nuk e kishte krijuar bindjen që Lleshi të caktohej në këtë detyrë të lartë.

Ky vendim cilësohet nga Rama si një shkelje të Kushtetutës dhe se nuk ka ndonjë Gjykatë Kushtetuese për të interpretuar një konflikt të tillë mes Kryeministrit dhe Presidentit.

Mazhoranca pritet të mblidhet dhe të vendosë nëse do ta pranojë propozimin e presidentit Meta, apo do ta rrëzojë dekretin si një “hakmarrje” ndaj refuzimit për dekretimin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm.

34 emrat e listës për Presidentit si kandidatë për kreun e KLSH

Agron Agalliu   ekonomist

Anastas Angjeli  deputet i PS

Albana Dhimitri   Financiere, Kontabiliste

Alba Qirjazi   Financier-Kontabilist

Aelita Mani  Merceolog i Përgjithshëm

Alfred Çako  ish deputet i Ballit Kombëtar

 Bahri Shaqiri         këshilltar i Presidentit, ish-shefi i SHISH

Bajram Lamaj     Inst.Lartë Bujqësor, Fak.Ekonomi Agrare

Bajram Muçaj           Inst.Lartë Bujqësor, Fak.Ekonomi Agrare Ekonomist

Behar Zeneli  U.T, Fakulteti i Drejtësisë Jurist

Bujar Stafuka            U.T, Fakulteti i Ekonomisë Ekonomist

 Edmond Verçani      U.T, Fakulteti i Ekonomisë Ekonomist

Eduart Ypi     U.T, Fakulteti i Ekonomisë Financier-Kontabilist

Eridian Salianji         Jurist dhe anëtar i PS në këshillin bashkiak të Tiranës

 Ermal Yzeiraj           U.T, Fakulteti i Drejtësisë Jurist

Gjergji Dhima           U.Bujq.Tiranës, Fakulteti i Bujqësisë Ekonomist

Hysen Muceku           U.Bujq.Tiranës, Fakulteti i Bujqësisë Ekonomist

Kestrin Katro            U.T, Fakulteti i Drejtësisë Jurist

Lefterie Luzi (Lleshi)  ish-kryetare e KQZ

Liljana Elmazi (Billa)            ish-deputete e PD

Lumtor Shkreli          U.Parmës-Itali, Fakulteti i Ekonomisë Ekonomist

Muhamed Kavaja     U.T, Fakulteti i Drejtësisë Jurist

Petrit Bushi  U.T, Fakulteti i Ekonomisë Ekonomist

Petrit Fusha prokuror i Prokurorisë së Tiranës

Pëllumb Ibrahimi                 

Qerim Lazaj   Ekonomist

Rushan Nano Ekonomist

Sabri Hoxha Mjek i Përgjithshëm,

Sali Shehu ish deputet i PD, Jurist

 Shkëlqim Cani  ish-deputet i PS-së, ish-ministër i Financave

Shpëtim Ahmetaj      Financier

Vitore Tusha  anëtare e Gjykatës Kushtetuese

Ylber  Karanxha       ekonomist Agrar

Zaim  Korsi Ekonomist Kontabël


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë