Një ndeshje shumë e mirë për Lacion, por që në fund si zakonisht ka parë fitues Juventusin. Sfida kryesore e ditës së diele në Serinë A ka parë fitues torinezët në shifrat 1-2, që tashmë e shohin veten të sigurt në krye të tabelës me 11 pikë më shumë se vendi i dytë që mbahet nga Napoli. Një humbje sërish për ekipin lacial që këtë sezon duket se e ka humbur toruan dhe është shumë larg paraqitjes së bërë sezonin e shkuar, ku i shkoi shumë pranë Ligë së Kampionëve. Por te Lacio mund të gëzohen të paktën për një gjë, pasi gardiani i tyre kryesor, Tomas Strakosha po shkëlqen.

Portieri shqiptar edhe pse pësoi dy gola mbrëmjen e shkuar përballë Ronaldos me shokë, sërish është vlerësuar pozitivisht, pasi sipas analistëve italianë ai nuk pati faj në asnjërin prej golave. Për paraqitjen e tij përballë Juventusit në “Olimpico”, Strakosha është vlerësuar me notën 6, e cila mund të kishte qenë edhe më e lartë nëse 24-vjeçari do të kishte bërë më mirë në gjuajtjen e Ronaldos nga pika e bardhë e penalltisë. “Te goli i parë, ishte e pamundur që ta bllokonte Dibalën. Edhe te penalltia e Ronaldos, nuk mundi ta ndalonte topin, siç bëri vjet në mars ndaj Dibalës. Shumë pak punë, për të mos thënë aspak dhe kush do ta kishte menduar një mbrëmje kaq të qetë, si spektator pa pagesë kundër Juventusit?!”- shkruajnë mediet italiane.

Lacio është shumë poshtë në renditje, në vendin e 8, duke qenë jashtë çdo objektivi sezonal. Për këtë arsye drejtuesit bardhekaltër me në krye drejtorin sportiv Igli Tare po shikojnë mundësinë e një revolucioni ku të nxirren në treg disa nga lojtarët më të mirë të ekipit. Në krye të listës janë serbi, Milikoviç Saviç dhe portieri kuqezi, Tomas Strakosha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




