Futboll

Rinis Superiorja, Partizani për pikët e para ndaj Skënderbeut “të plagosur”

Pas derbit Tirana-Partizani, Skënderbeu-Partizani është një nga sfidat më të nxehta të Superiores në vitet e fundit. Rivaliteti mes dy klubeve është rritur ndjeshëm dhe nuk kanë munguar thumbat apo polemikat. Dikur dy klube shumë miqësore, tani janë pozicionuar secili në “llogoren” e vet dhe shpesh në stadiumin e Korçës ka pasur edhe incidente.

Pikërisht në këtë stadium rinis sot, në orën 17:00, kampionati, gjysma e dytë e tij. Skënderbeu “i plagosur” në muajin dhjetor nga disa humbje radhazi, që e kanë zbritur disa shkallë në klasifikim, në vend të katërt me 30 pikë, kërkon fitoren e tretë në po kaq ndeshje ndaj Partizanit, ndaj të cilit ka fituar 1-0 fazën e parë dhe 0-2 fazën e dytë. Një fitore e mundshme do ta rikthente në shinat e titullit dhe ekipin e trajnerit Shehi, që kërkon ta arrijë suksesin me ndihmën e tifozëve. Partizani mban vendin e parë, me 37 pikë, dhe për të shkuar te titulli e ka të qartë se duhet të marrë pikë edhe në fushën e rivalëve. Nuk e ka bërë në dy ndeshjet e para me korçarët, por mund të jetë “e treta e vërteta”…

Para ndeshjes Skënderbeu-Partizani, që ishte e para e këtij kampionati

Shanset e Partizanit për rezultat pozitiv në Korçë rriten edhe nga fakti se Skënderbeu ka disa mungesa të rëndësishme titullarësh, siç janë mbrojtësi Fidan Aliti i skualifikuar dhe sulmuesit Dejvi Bregu e Blerim Krasniqi të dëmtuar, ashtu si dhe Bruno Lulaj dhe Demte. Vetëm Krasniqi ka shanse të luajë disa minuta në ndeshjen e sotme. Partizani është i plotë dhe ndeshja pritet të jetë mjaft e luftuar në fushë dhe në shkallët e stadiumit. Në ndeshjen e parë të luajtur në Korçë pati probleme me tifozët dhe këtë radhë shpresohet që të merren masa më të forta për sigurinë.

Skënderbeu dhe Partizani kanë bërë disa lëvizje në merkaton e dimrit. Korçarët kanë bërë përforcime në mesfushë, ku kanë pasur më shumë probleme. Kanë ardhur Elmir Asani, Shqiprim Taipi dhe Idriz Toskiç, të cilët janë pëlqyer nga trajneri Orges Shehi, por është rritur numri i të huajve dhe ky është një problem më vete. Partizani ka marrë në ekip Fatjon Jusufin, Alesio Hysenin dhe Dilaver Dukën, me këtë të fundit që shihet si një afrim me vlera nga trajneri Skënder Gega. Sfida e sotme në Korçë do të tregojë më mirë gjendjen e dy skuadrave që pretendojnë titullin kampion.

Muzaka shënon me penallti golin e fitores në ndeshjen e parë në Korçë

Java e 19-të e Superiores vazhdon të shtunën dhe të dielën me ndeshjet Kukësi-Laçi, Luftëtari-Kastrioti, Tirana-Kamza dhe Teuta-Flamurtari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë