Sindikata e Punonjësve të Postë-Telekomit Shqiptar druhet se blerësit bullgarë të kompanisë do t’i hedhin në rrugë.
Për këtë, sindikata ka bërë një letër të hapur drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Komisionit Kuvendor të Veprimtarive Prodhuese dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare(AKEP), të cilëve u kërkon të bëjnë publike negociatat me kompaninë që bleu Telekom Albania dhe të sigurojnë se plani i biznesit i kompanise “Albania Telecom Invest AD” do të ruajë vendet e punës aktuale në kompaninë Telekom Albania dhe nuk do të aplikojë shkurtime drastike të vendeve të punës, me justifikim futjen e teknologjive të reja.
Sindikata i kërkon Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin të Kuvendit të Shqipërisë që të mbikëqyrë me kujdes dhe rreptësisht këto negociata, për të mos lejuar cënimin e interesit publik, në rradhë të parë të së ardhshmes së vendeve të punës në kompaninë Telekom Albania, si dhe të kërkojë pranimin nga kompania investuese “Albania Telecom Invest AD” realizimin e kontratës kolektive të punës me punonjësit e Telekom Albania, si një garanci më shumë për sigurimin e vendeve të punës.

“Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” parashikon edhe situatat e largimit nga puna.
Referuar këtij kodi, nëse kontrata zgjidhet pa shkaqe të arsyeshme, punëmarrësi ka të drejtë të ngrejë padi kundër punëdhënësit në gjykatë brenda 180 ditëve nga dita e përfundimit të afatit të njoftimit.
Punëdhënësi që ka zgjidhur kontratën pa shkaqe të arsyeshme, detyrohet t’i japë punëmarrësit një dëmshpërblim deri në një vit pagë, që i shtohet pagës që ai duhet të marrë gjatë afatit të njoftimit. Për punëmarrësit në administratën publike, kur ka një vendim gjykate të formës së prerë për kthimin në vendin e mëparshëm të punës, punëdhënësi është i detyruar të zbatojë këtë vendim.
Punëdhënësi nuk mund të zgjidhë kontratën në kohën kur, sipas legjislacionit në fuqi, punëmarrësi përfiton pagesë paaftësie të përkohshme në punë nga punëdhënësi ose sigurimet shoqërore, për një periudhë deri në një vit, si edhe kur punëmarrësi është me pushime të dhëna nga punëdhënësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.