Futboll

Para Botërorit, Erdogan “përçan” Kombëtaren gjermane

Kur Angela Merkel i vizitonte në hotelin e akomodimit për përgatitjet e Botërorit 2014 të Brazilit, i cilësonte lojtarët e kombëtares gjermane me orgjinë të huaj si shembull të integrimit në shoqërinë vendase.

Pjesë e këtyre shembujve që sillte kancelarja gjermane në atë kohë ishte edhe Mesut Ozil dhe Ilkay Gundogan, që të dy me origjinë turke. Janë pikërisht këta dy që së fundmi kanë ndezur një debat të gjerë publik e politik në Berlin dhe shkak është bërë një foto e shkrepur me Presidentin turk, Recep Taip Erdogan.

Fotoja mbërrin në momentin që marrëdhëniet mes Berlinit dhe Ankarasë janë në nivelin e tyre më të ulët prej dekadash, si e përplasjeve mbi arrestimet e ndërmarra nga Turqia pas grushtit të dështuar të shtetit të korrikut të 2016-s.

Përveç fotos, dy lojtarët i dhuruan Presidentit Erdogan edhe fanelat të nënshkruara prej tyre.

“Me respekt të madh për Presidentin tim!”, shkruante Gundogan në fanelën e tij.

Politikanët e ekstremit të djathtë në Gjermani kanë shfrytëzuar këtë foto për të kritikuar dy lojtarët dhe për të vënë në pikëpyetje besnikërinë e tyre ndaj vlerave të shoqërisë gjermane.

Reagime kanë mbërritur edhe nga Federata Gjermane e Futbollit.

“Futbolli dhe Federata mbrojnë vlerat që nuk janë respektuar mjaftueshëm nga zoti Erdogan. Për këtë arsye nuk është diçka e mirë të shohim lojtarët tanë që të manipulohen në fushatën e tij elektorale”, u shpreh Presidenti i këtij institucioni, Reinhard Grindel.

Drejtori Teknik i Federatës Gjermane, Oliver Bierhoff nga ana tjetër thotë se lojtarët nuk e kuptojnë simbolikën e kësaj fotoje.

“Gjithsesi kjo nuk është e drejtë. Do të zhvillohet një takim me të dy futbollistët për të diskutuar në lidhje me këtë çështje”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë