Është koha e ndeshjeve miqësore, që u shërbejnë trajnerëve për të parë gjendjen e futbollistëve pas festave të fundvitit dhe për të ingranuar elementët e rinj, të cilët mund të kenë ardhur gjatë merkatos së dimrit. Skënderbeu kërkoi një kundërshtar të fortë që në fillim dhe në kompleksin “Tropikal”, ku grumbullohet zakonisht, priti Tiranën.
Ndeshja u mbyll me fitoren e Skënderbeut, me rezultatin 2-1. Korçarët përmbysën rezultatin në pjesën e dytë me golat e Ardit Hoxhajt dhe afrikanit Oto Xhon, ndërkohë që Ernest Muçi kishte shënuar në pjesën e parë për Tiranën. Trajneri Ardian Mema i kishte besuar një fanellë titullari sulmuesit të ri, ashtu si dhe Ismailgecit. Tirana është shumë larg objektivave dhe ndoshta drejtuesit kanë menduar se është më mirë t’u japin shansin e aktivizimit lojtarëve të ardhur nga akademia e vet.
Trajneri Orges Shehi e nisi ndeshjen me formacionin më të mirë, me përjashtim të kosovarit Fidan Aliti, vendin e të cilit e zuri Sambou. Kënaqësinë e kësaj fitoreje për korçarët e ka prishur dëmtimi i Dejvi Bregut, i cili pati probleme në shpatull, pas një dyluftimi me Turtullin e Tiranës. Futbollisti vlonjat është detyruar të shkojë në spital për vizita të specializuara. Drejtuesit e Skënderbeut janë alarmuar, sepse bëhet fjalë për një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit.
Në vazhdim, si Skënderbeu, ashtu edhe Tirana, do të luajnë të tjera ndeshje miqësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




