Ngjarje

“Jemi Milicia Serbe, kemi vendosur bombë”/ E-mail kërcënues në adresat e institucioneve

Një email kërcënues ka mbërritur këtë të premte në adresat zyrtare të bashkive si dhe disa institucioneve të tjera në të gjithë Shqipërinë, duke shkaktuar shqetësim, për shkak të përmbajtjes së tij.

Në mesazhin kërcënues, dërguesi, i cili identifikohet si drejtues i të ashtuquajturës “Milicia Serbe”, pretendon se ka vendosur mjete shpërthyese në ndërtesat e institucioneve vendore dhe kërcënon me shpërthime brenda një ore.

Përmes këtij emaili, dërguesi kërkon që “Kosova të njihet si pjesë e Serbisë”, duke kërcënuar me vrasjen e shqiptarëve në rast se kërkesa e tij nuk plotësohet.

“Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush”, thuhet në mesazhin e dërguar, ku më tej pretendohet se është vendosur një mjet shpërthyes në ndërtesë.

Sipas informacionit paraprak, bëhet fjalë për një email të rremë, i cili u është dërguar rreth 140 personave.

Agjencia për Media dhe Informim përmes një lajmërimi ka thënë se e-mailet kërcënuese që janë duke qarkulluar janë pjesë e një fushate dezinformimi.

Policia e Shtetit ka reaguar gjithashtu për e-mailet kërcënuese, ku thuhet se është vendosur lëndë shpërthyese në disa institucione të vendit.

Sipas policisë, menjëherë kanë nisur verifikimet dhe deri tani nuk është evidentuar asnjë rast i vendosjes së lëndëve shpërthyese ndërsa vijon puna për të identifikuar burimin e mesazhit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë