Politike

Pagat e magjistratëve, kryeprokurori Çela kërkon zgjidhje përfundimtare: Duhet dialog real

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka ngritur shqetësimin për mbingarkesën në prokurori, vakancat në organikë dhe problematikat e infrastrukturës e sigurisë në institucionet e drejtësisë.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve, ku do të zgjidhen anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Çela theksoi nevojën për forcimin e pavarësisë së prokurorëve, rritjen e efikasitetit të hetimeve dhe rikthimin e besimit të publikut te drejtësia.

Ai kërkoi gjithashtu zgjidhje përfundimtare për trajtimin financiar të magjistratëve dhe përmirësimin e kushteve të punës në prokuroritë e vendit.

“Prokuroria është duke kaluar një periudhë tejet të vështirë  prej disa vitesh, për shkak të vakancave në organikë dhe mbingarkesës së punës të krijuar si rrjedhojë e tyre. Kjo u shoqërua me sfidat që natyrshëm sjell integrimi i një numri të madh magjistratësh të rinj në sistem si dhe me nevojën për ndërtimin e raporteve të reja brenda zyrave dhe mes niveleve, në kuadrin e nje prokurorie të decentralizuar”, tha Çela, duke shtuar se ka qenë kontributi dhe sakrifica e gjithsecilit prej tyre që ndihmoi  në evitimin e kolapsit që rrezikonte sistemin e prokurorisë dhe përshtatjen graduale me organizimin e ri.

Çela tha se çështja e trajtimit financiar të magjistratëve kërkon një zgjidhje përfundimtare.

“Për këtë nevojitet një dialog real dhe konstruktiv mes të gjitha palëve, që synon zgjidhjen e problemit dhe jo shtyrjen e tij përmes vendimmarrjeve që nuk respektojnë standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë