Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka ngritur shqetësimin për mbingarkesën në prokurori, vakancat në organikë dhe problematikat e infrastrukturës e sigurisë në institucionet e drejtësisë.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve, ku do të zgjidhen anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Çela theksoi nevojën për forcimin e pavarësisë së prokurorëve, rritjen e efikasitetit të hetimeve dhe rikthimin e besimit të publikut te drejtësia.
Ai kërkoi gjithashtu zgjidhje përfundimtare për trajtimin financiar të magjistratëve dhe përmirësimin e kushteve të punës në prokuroritë e vendit.
“Prokuroria është duke kaluar një periudhë tejet të vështirë prej disa vitesh, për shkak të vakancave në organikë dhe mbingarkesës së punës të krijuar si rrjedhojë e tyre. Kjo u shoqërua me sfidat që natyrshëm sjell integrimi i një numri të madh magjistratësh të rinj në sistem si dhe me nevojën për ndërtimin e raporteve të reja brenda zyrave dhe mes niveleve, në kuadrin e nje prokurorie të decentralizuar”, tha Çela, duke shtuar se ka qenë kontributi dhe sakrifica e gjithsecilit prej tyre që ndihmoi në evitimin e kolapsit që rrezikonte sistemin e prokurorisë dhe përshtatjen graduale me organizimin e ri.
Çela tha se çështja e trajtimit financiar të magjistratëve kërkon një zgjidhje përfundimtare.
“Për këtë nevojitet një dialog real dhe konstruktiv mes të gjitha palëve, që synon zgjidhjen e problemit dhe jo shtyrjen e tij përmes vendimmarrjeve që nuk respektojnë standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje