Ne rrjet

Vetëm një e treta e programeve të BE kundër dronëve pritet të realizohet deri në vitin 2030

Investimet e vendeve të BE-së në teknologjinë kundër dronëve janë gjashtëfishuar, por Evropa ende përballet me boshllëqe të mëdha në mbrojtjen ndaj sistemeve pa pilot.

Vetëm rreth një e treta e programeve evropiane për kapacitetet kundër dronëve pritet të realizohet deri në vitin 2030, pavarësisht rritjes së ndjeshme të investimeve, sipas një raporti konfidencial të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes (EDA).

Sipas raportit, investimet në sistemet kundër dronëve dhe mbrojtjen ajrore me rreze shumë të shkurtër u gjashtëfishuan nga viti 2024 në vitin 2025, ndërsa vendet e BE-së po investojnë gjithsej rreth 18.9 miliardë euro në teknologjitë e dronëve për periudhën 2024-2029.

Megjithatë, EDA paralajmëron se mungesat në kapacitete, prokurimi i fragmentuar dhe varësia nga burimet e jashtme vazhdojnë të ndikojnë në gatishmërinë ushtarake evropiane.

Problemi është veçanërisht i rëndësishëm në krahun lindor të BE-së, nga Deti Baltik deri në Detin e Zi, ku kërcënimi nga dronët është rritur ndjeshëm si pasojë e zhvillimeve në luftën në Ukrainë.

Disa vende, përfshirë Spanjën, Danimarkën, Kroacinë, Letoninë dhe Holandën, po bashkëpunojnë në një projekt të përbashkët për blerjen e dronëve dhe sistemeve kundër tyre, si dhe për krijimin e një qendre teknologjike për inovacion dhe testim.

Por raporti evidenton probleme të tjera: mungesë të ndërveprueshmërisë mes sistemeve, kapacitete të kufizuara për testim dhe eksperimentim dhe pamundësi të industrisë për të rritur me shpejtësi prodhimin.

Një shqetësim i veçantë është ritmi i zhvillimit teknologjik. Sipas EDA-së, teknologjia e dronëve po ndryshon aq shpejt sa disa sisteme mund të bëhen të vjetruara para se të përfundojë procesi i prokurimit dhe të hyjnë në përdorim.

Agjencia ka identifikuar më shumë se 200 kompani në BE që prodhojnë teknologji për dronë dhe kundër dronëve. Megjithatë, sektori mbetet i fragmentuar dhe kërkon investime të qëndrueshme, prodhim më fleksibël dhe mundësi për zgjerim të shpejtë.

Raporti thekson se Evropa duhet të përshpejtojë investimet, të përmirësojë bashkëpunimin mes vendeve anëtare dhe të përshtatë më shpejt teknologjinë me nevojat e reja të luftës moderne.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë