Opozita i ka kërkuar presidentit Bajram Begaj të thërrasë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pas masës së arrestit në shtëpi dhe pezullimit nga detyra të kreut të inteligjencës, Vlora Hysenit.
Ky është reagimi i parë i opozitës për masën e lëshuar mëngjesin e sotëm nga GJKKO, ndërsa SPAK po kontrollonte gjithashtu edhe banesën e ish-drejtuesit të bluve, Ilir Prodës.
Deputetja Jorida Tabaku thotë se duhet të sqarohet nëse janë cenuar informacionet, puna e institucioneve dhe siguria e qytetarëve. Më tej shprehet se drejtësia duhet të bëjë punën e saj deri në fund, pa u penguar.
Më tej, ajo bën përgjegjëse qeverinë Rama si sistem që “ka zgjedhur dhe promovuar” këta drejtues, ndërsa nënvizon sërish se largimi është i domosdoshëm.
“Çdo ditë bie një copë nga muri i propagandës dhe pas tij shfaqen rrënjët e krimit, korrupsionit dhe lidhjeve të tyre me qeverisjen. Përgjegjësia politike ka emër: Edi Rama. Ai i ka zgjedhur këta drejtues, i ka promovuar dhe ua ka paraqitur shqiptarëve si fytyrën e shtetit të tij. Sot u detyrohet përgjigje”, thotë Tabaku, duke shtuar se Presidenti i Republikës duhet të thërrasë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Duhet të sqarohet nëse janë cenuar informacionet shtetërore, puna e institucioneve dhe siguria e qytetarëve. Shqipëria nuk mund të presë shfaqjen e radhës të propagandës, ndërsa dyshimet prekin vetë strukturat që duhet ta mbrojnë.
Drejtësia duhet të bëjë punën e saj deri në fund, pa mburoja politike dhe pa pengesa. Por përgjegjësia politike nuk mund të shtyhet pafund, duke pritur që për çdo hallkë të këtij sistemi të flasë prokuroria”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje