Gazeta Si – Në Shtetet e Bashkuara, një bujë e madhe u shkaktua korrikun e kaluar kur presidenti Donald Trump ndërroi avionin fshehurazi – pa njoftuar gazetarët që ishin planifikuar të udhëtonin me të – për shkak të kërcënimit të një sulmi iranian.
Ka vende ku manovra të tilla janë të zakonshme; Rusia, për shembull, është një vend ku presidenti Vladimir Putin prej kohësh ka ndërmarrë masa të gjera për të garantuar sigurinë e tij dhe për të çorientuar armiqtë e mundshëm.
Në këtë kontekst, ndërrimi i avionit do të konsiderohej “lojë fëmijësh”, tha për “New York Times” gazetari rus investigativ, Mikhail Rubin (i cili jeton dhe punon në Karolinën e Veriut).
Vitet e fundit – dhe veçanërisht pas pandemisë COVID-19 dhe pushtimit rus të Ukrainës në shkallë të plotë që pasoi – Putini është bërë gjithnjë e më paranojak lidhur me atentatet e mundshme ndaj tij apo përpjekjet për të rrëzuar qeverinë e tij.
Që nga viti 2022, ai ka forcuar sigurinë e tij personale, është izoluar gradualisht dhe konsultohet vetëm me një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh të besuar, të përbërë kryesisht nga ish-zyrtarë të ushtrisë dhe të shërbimeve të sigurisë.

Media të ndryshme të pavarura kanë zbuluar se Putini ka ndërtuar tri kopje thuajse identike të zyrës së tij, në mënyrë që të mund të zhvillojë intervista dhe të japë deklarata pa zbuluar vendndodhjen e tij reale: ajo kryesore ndodhet në Novo-Ogaryovo, pranë Moskës; një tjetër në Soçi, në Detin e Zi; dhe e treta në Valdai, midis Moskës dhe Shën Pjetërburgut.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë (një transmetues publik amerikan) analizuan qindra video intervistash ose fjalimesh të Putinit, të cilat ishin paraqitur sikur ishin filmuar në Moskë; megjithatë, ata zbuluan dallime të vogla që tregonin se pamjet ishin filmuar në fakt në vende të ndryshme – siç ishin ndryshimet në pozicionin e dorezave të dyerve apo në vijëzimin e linjave në mure. Sipas hetimit, qeveria ruse kishte gënjyer kështu “qindra herë” lidhur me vendndodhjen e presidentit.
Mediat shtetërore gjithashtu gënjejnë për datat kur janë regjistruar paraqitjet e Putinit, duke i paraqitur ngjarjet dhe bisedat që kanë ndodhur në një ditë të caktuar sikur të kenë ndodhur në një ditë tjetër.
Sipas Radios Evropa e Lirë, për shembull, të paktën pesë takime, për të cilat pretendohet se janë zhvilluar midis prillit dhe majit të vitit 2025, në fakt ishin filmuar muaj më parë.
Në Rusi, ato i quajnë “konservy” – pamje “të konservuara” – të përgatitura dhe gati për t’u përdorur kur të jetë e nevojshme.
Për ta zbuluar këtë, gazetarët këtu analizuan ndryshimet në detaje të caktuara të zyrës së Putinit, siç janë gjendja gjendja e bimëve dhe renditja e librave në sfond.
Lëvizjet e Putinit janë të mbështjella me fshehtësi dhe shoqërohen nga taktika shpërqendruese e informacione kolportuese.
Për shembull, gazetarja ruse, Farida Rustamova ka raportuar zëra në Moskë se autokolonat që supozohet se transportojnë Putinin nëpër qytet, ndonjëherë shërbejnë thjesht si mjete mashtruese; në fakt, presidenti nuk ndodhet brenda tyre.

Putini udhëton shpesh me tren për të shmangur zbulimin nga sistemet e radarëve ajrorë. Që nga viti 2014, ai ka vënë në përdorim një tren të blinduar – të përbërë nga rreth njëzet vagona – i cili, siç është e natyrshme, nuk figuron në oraret publike të lëvizjes.
Nga jashtë, ai ngjan me një tren të zakonshëm pasagjerësh, por brendësia është e pajisur me lehtësira të shumta, duke përfshirë salla takimesh, palestër, dhomë masazhi dhe saunë, sipas një hetimi të kryer nga “Dossier Center”, një organizatë investigative me bazë në Londër.
Të paktën që nga viti 2015, ai ka urdhëruar gjithashtu ndërtimin e linjave hekurudhore dhe stacioneve private e të ruajtura rreptësisht, që u shërbejnë rezidencave të tij; një vend i tillë, pranë Valdait, përfshin madje edhe një pistë për helikopterë.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje