Ne rrjet

Pa ushqime të freskëta dhe higjienë, ushtarët amrikanë tentojnë vetëvrasjen në det

E nisur për një mision në Paqësor, tani aeroplanmbajtësja "Abraham Lincoln" ndodhet i bllokuar në Iran: reagimi i ashpër i familjeve të më shumë se 5.000 marinarëve që ndodhen në bord

Gazeta Si – Një mision pa fund, ushqime të freskëta gjithnjë e më të pakta, kushte sanitare jo të pranueshme dhe presion psikologjik që e çon ekuipazhin drejt pikës së thyerjes – kjo është tabloja e zymtë që del nga rrëfimet e familjeve të 5.000 pjesëtarëve të ekuipazhit në bordin e aeroplanmbajtëses “Abraham Lincoln”.

Aktualisht, anija ndodhet në Lindjen e Mesme, ku ka kaluar më shumë se pesë muaj duke mbështetur bllokadën detare dhe operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit.

Nëntë muaj në det – Pasi u nis nga San Diego më 21 nëntor 2025 për një mision të planifikuar shtatëmujor në Paqësor, aeroplanmbajtësja u ridrejtua papritur drejt ujërave të ngrohta të Lindjes së Mesme për shkak të përshkallëzimit të tensioneve ushtarake me Teheranin.

Në gusht të vitit 2026, anija ka hyrë në muajin e nëntë të dislokimit, duke regjistruar mbi 250 ditë radhazi në det pa u ndalur në port – një rekord i paprecedentë dhe rraskapitës për marinën moderne.

Që nga fillimi i misionit, ekuipazhi – i përbërë nga rreth 5.000 marinarë dhe marinsa – ka bërë vetëm dy ndalesa të shkurtra teknike në Guam dhe Oman, gjatë të cilave shumicës së personelit nuk iu dha as leje për të zbritur në breg.

Kushte ekstreme – Dëshmitë dëshpëruese që u mbërrijnë familjeve të ushtarakëve përshkruajnë një situatë që ka kaluar tej mase kufijtë e qëndrueshmërisë.

Rezervat e ushqimeve të freskëta kanë mbaruar prej kohësh; marinarët ankohen për mungesë të gjërave të domosdoshme dhe për racionim të ushqimit.

Raportet përmendin gjithashtu pajisje sanitare të prishura, lavatriçe jashtë funksionit dhe mungesë kronike të ujit të pijshëm e të produkteve të higjienës personale.

Dhe pastaj është myku. Lagështia mbytëse e Gjirit ka nxitur përhapjen e tij në dushe dhe në zonat ku fle ekuipazhi.

Pasojat psikologjike – Izolimi i zgjatur dhe mungesa e një date të caktuar për kthim – e shtyrë vazhdimisht nga Pentagoni për arsye strategjike – kanë bërë që morali i ekuipazhit të bjerë në nivele kritike.

Tensioni është aq i lartë, saqë burime të brendshme kanë konfirmuar disa tentativa të marinarëve për t’u hedhur në det, në një përpjekje të dëshpëruar për t’iu shmangur një rutine që është bërë torturuese.

Gazeta The Guardian”, duke iu referuar “Navy Times” dhe mediave të tjera të specializuara, raporton për të paktën dy tentativa vetëvrasjeje.

Në një rast, bashkëshortja e një marinari tregoi se burri i saj u përpoq të hidhej në det pasi misioni i tij po zgjatej vazhdimisht.

“Ai ka frikë. Mendon se do të shkarkohet me turp dhe se karriera e tij 13-vjeçare do të shkatërrohet, thjesht, sepse ishte i rraskapitur”.

Nga deti në Senat – Një çështje politike në Uashington. Çështja ka kaluar përtej mureve të Pentagonit, duke mbërritur drejtpërdrejt në Kongresin e SHBA-ve.

Senatori demokrat, Richard Blumenthal, anëtar i Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, i dërgoi një letër të ashpër Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe Sekretarit në detyrë të Marinës, Hung Cao, “për të shprehur shqetësimin lidhur me kohëzgjatjen e shtuar të dislokimit të aeroplanmbajtëses dhe për të kërkuar informacion mbi gjendjen e personelit në bord”.

Kthimi? Një mirazh – Ndërsa hodhi poshtë pretendimet për një rritje zyrtare të problemeve psikiatrike, Marina deklaroi se komanda e aeroplanmbajtëses monitoron vazhdimisht gjendjen psikologjike të marinarëve dhe se në bord janë të pranishëm këshilltarë, kapelanë dhe personel mjekësor. Megjithatë, ndërkohë, urdhri për kthimin e “Lincoln”-it mbetet një mirazh i largët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë