Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u takua në margjinat e Ministerialit për rikthimin e terrorizmit politik me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç.
Gjatë takimit, dy ministrat diskutuan mbi zhvillimet aktuale në rajon dhe perspektivat e ardhshme të marrëdhënieve mes vendeve.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se gjatë bisedës me ministrin e Jashtëm serb ka ripërsëritur qëndrimin e Shqipërisë lidhur me deklaratat e fundit të një anëtareje të Qeverisë së Serbisë për Kosovën, të cilat Tirana i ka cilësuar të papranueshme.
“Përsërita qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi nga një anëtare e Qeverisë së Serbisë, si dhe theksova nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane”, shkroi Hoxha.
Ministri shqiptar theksoi se dialogu mbetet mënyra e vetme për të trajtuar mosmarrëveshjet mes vendeve.
“Kjo është ajo që përfaqëson diplomacia: angazhimi në dialog të hapur, shikimi i njëri-tjetrit në sy, përballja me realitetin dhe adresimi i dallimeve me përgjegjësi”, u shpreh Hoxha.
Takimi vjen në një periudhë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë vijojnë të jenë të tensionuara, ndërsa Shqipëria ka kërkuar vazhdimisht shmangien e deklaratave që mund të cenojnë stabilitetin në rajon dhe procesin e dialogut.
Deklarata shkaktoi reagime të forta në Kosovë dhe më gjerë. Ministrja në detyrë e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte paraqitur kallëzim penal ndaj Paunoviçit, duke e cilësuar deklaratën si justifikim të spastrimit etnik dhe nxitje të urrejtjes.
Kosova gjithashtu e shpalli Paunoviçin persona non grata, ndërsa deklarata e saj u kritikua edhe nga zyrtarë evropianë.
Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cilësoi deklaratën si “tronditëse” dhe tha se ishte e habitshme që një ministre që bën deklarata të tilla vazhdon të mbajë postin qeveritar.
Pas reagimeve, Paunoviç u tërhoq pjesërisht nga deklarata e saj, duke pretenduar se fjalët e saj ishin nxjerrë jashtë kontekstit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje