Nga Gazeta ‘Si’- Ky Botëror nuk ka qenë thjesht më i madhi në histori për nga numri i skuadrave dhe ndeshjeve të zhvilluara. Ai është shndërruar edhe në një makineri gjigante fitimesh, ku miliarda dollarë qarkullojnë paralelisht me spektaklin në fushë.
Zgjerimi i turneut ka tërhequr më shumë shikues se kurrë më parë, duke krijuar mundësi të reja biznesi për organizatorët, transmetuesit, sponsorët dhe industrinë e basteve. Megjithatë, jo të gjithë kanë dalë fitues nga ky spektakël financiar.
FIFA, fituesja më e madhe
Organizata që drejton futbollin botëror vazhdon të jetë përfituesja kryesore e Kupës së Botës. Pas të ardhurave rekord prej 7.6 miliardë dollarësh nga Botërori i Katarit në vitin 2022, FIFA pritet të tejkalojë këtë shifër në turneun e vitit 2026, të organizuar në SHBA, Kanada dhe Meksikë, falë formatit të zgjeruar me 48 skuadra.
Sipas Marion Laboure, stratege e lartë në Deutsche Bank Research, FIFA është “pa asnjë dyshim” fituesja kryesore, me të ardhura që gjatë ciklit katërvjeçar afrojnë 13 miliardë dollarë.
Të ardhurat burojnë nga shitja e të drejtave televizive, licencave, paketave të mikpritjes, marrëveshjeve me sponsorët dhe shitjes së biletave. Ndërkohë, FIFA ka hyrë edhe në tregun e rishitjes së biletave përmes platformës së saj zyrtare, duke mbajtur një komision prej 15% si nga blerësi ashtu edhe nga shitësi.
Ekspertët besojnë se ky model do të zgjerohet edhe më tej, ndërsa FIFA po shqyrton mundësinë që Botërori i ardhshëm të ketë 64 skuadra, çka do të sillte pjesëmarrjen e tregjeve të mëdha si Kina dhe India, por edhe miliarda shikues shtesë.

Tifozët, mes humbësve të mëdhenj
Nëse për shumë tifozë pjesëmarrja në Botëror ishte realizimi i një ëndrre, nga ana financiare përvoja rezultoi tepër e kushtueshme.
Kritikat ndaj strategjisë së çmimeve dinamike të FIFA-s, e cila i rrit tarifat kur kërkesa shtohet, kanë qenë të shumta. Edhe presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se nuk do të paguante 1 mijë dollarë për një biletë të ndeshjes hapëse të SHBA-së kundër Paraguait.
Biletat për finalen në stadiumin MetLife të Nju Xhersit u shitën zyrtarisht deri në 32,970 dollarë, ndërsa në tregun e rishitjes disa oferta kapën vlerën marramendëse prej më shumë se 2 milionë dollarësh.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mbrojti çmimet, duke argumentuar se ato ishin të krahasueshme me eventet e tjera të mëdha sportive në SHBA.
Shpenzimet nuk u kufizuan vetëm te biletat. Udhëtimet, akomodimi dhe ushqimi rënduan ndjeshëm buxhetin e tifozëve. Një nga rastet më të diskutuara ishte rritja e çmimit të biletës së trenit drejt stadiumit MetLife, ku një udhëtim 30-minutësh kushtonte 150 dollarë, krahasuar me vetëm 12.9 dollarë zakonisht. Pas reagimeve publike çmimet u ulën, por mbetën sërish shumë mbi nivelet normale.
Transmetuesit dhe sponsorët, ndër përfituesit kryesorë
Edhe pse transmetuesit televizivë paguajnë shuma marramendëse për të drejtat e transmetimit, audienca rekord dhe kërkesa e reklamuesve i kthejnë këto investime në fitime të konsiderueshme.
Një nga risitë e këtij Botërori ishin ndërprerjet për hidratim. FIFA këmbënguli se ato u vendosën vetëm për arsye sportive, por për transmetuesit u shndërruan në hapësira të reja reklamimi.
Në SHBA, ku ndërprerjet publicitare janë pjesë e kulturës sportive, Fox Sports – që pagoi rreth 485 milionë dollarë për të drejtat televizive – i shiti këto pushime si hapësira të sponsorizuara.
Ekspertët vlerësojnë se një spot 30-sekondësh gjatë Botërorit kushton mesatarisht 200–300 mijë dollarë, ndërsa gjatë ndeshjeve të SHBA-së çmimi arriti deri në 750 mijë dollarë. Vetëm reklamat gjatë ndërprerjeve për hidratim mund të gjenerojnë rreth 250 milionë dollarë në tregun amerikan.
Sipas Marion Laboure, këto ndërprerje janë tashmë një produkt reklamues dhe ka shumë pak gjasa të hiqen në të ardhmen, pasi zgjerimi i turneut është bërë pjesë e modelit të biznesit të FIFA-s.
Ndërkohë, sponsorët zyrtarë si Adidas dhe Coca-Cola vazhdojnë të investojnë shuma të mëdha për të lidhur markën e tyre me Kupën e Botës. Adidas, për shembull, shpenzoi rreth 50 milionë paund për fushatën publicitare “Backyard Legends”, me protagonistë Lamine Yamal, Jude Bellingham dhe Lionel Messi.
Edhe disa marka jozyrtare arritën të përfitonin vëmendje. Një rast ishte mbulimi i logos së Levi’s pranë stadiumit Levi’s në San Francisko, i cili paradoksalisht krijoi edhe më shumë publicitet për kompaninë.
David Beckham, fitues edhe jashtë fushës
Edhe pse e ka mbyllur karrierën si futbollist prej më shumë se një dekade, David Beckham mbetet një nga figurat më të fuqishme komerciale të futbollit.
Versioni i tij i krijuar me inteligjencë artificiale u shfaq në reklamën kryesore të Adidas, ndërsa ish-kapiteni i Anglisë vazhdon të jetë imazh i shumë markave, nga Home Depot te Bank of America.

Si bashkëpronar i Inter Miami, klubi më i vlefshëm në MLS me një vlerësim prej rreth 1.45 miliardë dollarësh, Beckham mund të mos e ketë fituar kurrë Kupën e Botës si lojtar, por në aspektin e biznesit ai vazhdon të jetë një nga fituesit më të mëdhenj të futbollit.
Qytetet pritëse nuk po korrin përfitimet e pritshme
Pavarësisht fluksit të tifozëve në 16 qytetet organizatore në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ekspertët argumentojnë se përfitimet afatgjata ekonomike janë shumë më të kufizuara nga sa pritej.
FIFA vlerëson se turneu do të shtojë rreth 41 miliardë dollarë në ekonominë globale, nga të cilat 17 miliardë vetëm në SHBA, duke krijuar rreth 185 mijë vende pune, kryesisht në sektorët e hotelerisë dhe shërbimeve.
Megjithatë, Alexander Budzier, studiues në Universitetin e Oksfordit, thotë se ngjarje të tilla rrallë sjellin zhvillim ekonomik afatgjatë. Sipas tij, shumë turistë shmangin qytetet pritëse gjatë turneut, ndërsa vendet e reja të punës janë kryesisht sezonale dhe me paga të ulëta.
“Puna krijohet, por pasuria jo”, argumenton ai.
Budzier shton se përfitimi më i madh ekonomik nga evente të tilla vjen vetëm kur ato shoqërohen me investime të mëdha infrastrukturore, siç ndodhi me Lojërat Olimpike të Londrës 2012. Në rastin e Botërorit 2026, përdorimi i stadiumeve dhe infrastrukturës ekzistuese nënkupton se ndikimi zhvillimor do të jetë i kufizuar.

Hotelet mbetën poshtë pritshmërive
As sektori hotelier nuk ka përfituar aq sa pritej.
Shoqatat e hotelerisë raportojnë se rezervimet në qytetet pritëse kanë qenë më të ulëta se një vit më parë. Në Vancouver, për shembull, rezervimet e qershorit dhe korrikut rezultuan nën nivelet e viteve të mëparshme, pavarësisht organizimit të shtatë ndeshjeve.
Në SHBA, Shoqata Amerikane e Hoteleve dhe Akomodimit akuzoi FIFA-n se kishte rezervuar një numër të madh dhomash, duke krijuar një kërkesë artificiale që nuk u materializua. FIFA i ka hedhur poshtë këto pretendime.
Sipas Deutsche Bank Research, deri në muajin prill rreth 80% e operatorëve hotelierë amerikanë raportonin rezervime më të ulëta se parashikimet fillestare, ndërsa shumë hotelierë në Nju Jork dhe Seattle e cilësuan Botërorin si një “jo-ngjarje” për biznesin e tyre.
Kompanitë e basteve, fituesit e rinj të Botërorit
Në anën tjetër, industria e basteve sportive pritet të jetë një nga përfitueset më të mëdha të Botërorit 2026.
Sipas kompanisë financiare Macquarie, vlera e basteve të vendosura gjatë turneut mund të arrijë në rreth 50 miliardë dollarë, ose mesatarisht 500 milionë dollarë për çdo ndeshje. Rritja lidhet kryesisht me zgjerimin e turneut në mbi 100 ndeshje, nga 64 që ishin në Katar 2022.
Flutter Entertainment, pronare e markave Paddy Power, Betfair dhe Sky Bet, parashikon që volumi i basteve të jetë dy herë më i lartë se në Botërorin e kaluar, falë zgjerimit të tregut amerikan dhe atij brazilian.
Sipas analistit Chad Beynon, bastet “live” gjatë ndeshjes kanë zëvendësuar gjithnjë e më shumë bastet tradicionale të vendosura para fillimit të takimit.
Ndërkohë, në shtetet amerikane ku bastet sportive mbeten të paligjshme, si Kalifornia dhe Teksasi, popullaritet po fitojnë të ashtuquajturat “prediction markets”, platforma që nuk klasifikohen ligjërisht si lojëra fati dhe u mundësojnë përdoruesve të spekulojnë mbi rezultatet sportive./ BBC
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje