Politike

4 mln euro për koncertin e Kanye West, Qëndresa Qytetare i kërkon KLSH-së auditim

Nga Gazeta Si- Qëndresa Qytetare i është drejtuar sot zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit me kërkesën për auditim mbi përdorimin, administrimin dhe mbrojtjen e 4 milionë eurove të marra nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për financimin e pjesshëm të koncertit të Kanye Ëest.

Qëndresa Qytetare vlerëson se ekzistojnë dyshime serioze mbi ligjshmërinë dhe mënyrën e përdorimit të fondit rezervë, i cili, “sipas legjislacionit buxhetor, duhet të përdoret vetëm për shpenzime të paparashikuara dhe objektivisht të pamundura për t’u parashikuar gjatë procesit të hartimit të buxhetit”.

Në deklaratën e Qëndresës Qytetare thuhet se financimi i një aktiviteti privat kulturor përmes një akti normativ të miratuar vetëm pak ditë përpara zhvillimit të koncertit ngre pikëpyetje të forta mbi respektimin e procedurave ligjore, transparencën e vendimmarrjes, kriteret e përzgjedhjes së përfituesit dhe eficiencën e përdorimit të parave publike.

“Akti Normativ nr. 3/2026 bie ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore, pasi favorizon financiarisht përfitues të caktuar dhe rrezikon të shtrembërojë konkurrencën

Për këtë arsye, Qëndresa Qytetare i kërkon Kontrollit të Lartë të Shtetit të auditojë të gjithë procesin e vendimmarrjes, transferimit dhe përdorimit të fondeve publike të lidhura me Aktin Normativ nr. 3/2026.

Gjithashtu, kërkojmë që, nëse gjatë auditimit evidentohen elementë të ndihmës së paligjshme shtetërore apo shkelje të tjera ligjore, çështja t’u referohet institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin e Ndihmës Shtetërore dhe organet e ndjekjes penale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë