Nga Gazeta ‘Si’- Financimi me 4.3 milionë euro nga qeveria për koncertin e Kanye West ka sjellë debate në Komisionin për Turizmin mes ministit Blendi Gonxhja dhe kryetares së komisionit, Ina Zhupa.
Zhupa kërkoi shpjegime për arsyen e alokimit të fondeve publike për një ngjarje private, duke ngritur pyetjen se ku qëndronte urgjenca për një koncert të planifikuar.
“Ju keni dhënë 4.3 milionë euro për një koncert privat kur kishit premtuar që nuk do të jepnit asnjë lekë. Si e konceptoni ju urgjencën e një koncerti privat? Urgjencë ishte mos shitja e biletave? Cila ishte nevoja për t’u dhënë këto para?”, pyeti Zhupa.
Ajo kërkoi gjithashtu sqarime se çfarë do të ndodhte me fondet nëse Parlamenti nuk do ta miratonte financimin.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi se procedura sipas tij ishte ndjekur sipas aktit normativ dhe se mbështetja ishte dhënë pasi ekzistonte rreziku që ngjarja të mos realizohej.
“Administrata ka vepruar sipas aktit normativ, menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Nëse do të kishte mosmbarëvajtje të koncertit dhe koncerti nuk do të ishte realizuar, atëherë do të hynim në pyetjen tuaj se si do t’i merrnim lekët”, tha Gonxhja.
Sipas ministrit, qeveria kishte qenë në dijeni për organizimin e koncertit prej rreth një viti dhe fillimisht kishte ofruar mbështetje për aspekte të tjera të ngjarjes, pasi promotorët kishin garantuar se shitja e biletave do të mbulonte një pjesë të rëndësishme të kostove.
“Nuk kemi qenë në dijeni, nuk ishim të përgatitur për financim pjesor të këtij eventi”, deklaroi Gonxhja.
Ai sqaroi se problemi lindi pasi ngjarja nuk garantonte më vetëfinancimin.
“Ishte në rrezik mos organizimi i eventit për arsye se eventi nuk kishte garantuar ecuri në vetëfinancim. Një event nuk financohet vetëm nga biletat, financohet edhe nga sponsorë etj. Ishte një situatë e paparashikuar”, u shpreh ministri.
Gonxhja shtoi se Shqipëria nuk mund të krahasohet me tregje më të mëdha ndërkombëtare ku evente të tilla mund të anulohen pa pasoja të mëdha.
“Nuk kemi luksin të krahasohemi me tregjet e huaja ku është anuluar koncerti. Nuk jemi as Italia, as Mbretëria e Bashkuar apo Polonia”, tha ai.
Gjatë debatit, ministri komentoi edhe çështjen e koncertit të Jennifer Lopez në Tiranë, duke deklaruar se ai ishte refuzuar për momentin, pasi artistja kishte kërkuar një garanci prej 2 milionë eurosh në rast protestash.
“Kjo është kostoja e destabilizimit të vendit. Për ata që e duan JLo në Tiranë, ta dinë që nuk e japim dot këtë garanci”, tha Gonxhja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje