Nga Gazeta ‘Si’– Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në SPAK një kallëzim penal ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, lidhur me financimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West në Tiranë.
Në njoftimin për media, PD bën të ditur se kallëzimi është dorëzuar nga kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, duke i akuzuar dy zyrtarët për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Sipas demokratëve, me Aktin Normativ nr. 3 të datës 6 korrik 2026, Këshilli i Ministrave miratoi financimin me 400 milionë lekë, ose rreth 4.2 milionë euro, për organizimin e koncertit të Kanye West, të zhvilluar në Tiranë më 11 korrik.


PD argumenton se fondi rezervë i buxhetit të shtetit përdoret për raste të jashtëzakonshme dhe emergjenca të paparashikueshme, si fatkeqësitë natyrore apo krizat civile, dhe jo për aktivitete artistike të planifikuara paraprakisht.
Në kallëzim thuhet se vendimi ka cenuar parimet e konkurrencës së lirë dhe të barazisë para ligjit, pasi, sipas opozitës, një mbështetje e tillë financiare nuk ka qenë e hapur për operatorë të tjerë ekonomikë që mund të organizonin aktivitete të ngjashme.
Demokratët pretendojnë se veprimet e Ramës dhe Gonxhes kanë shkaktuar dëm ndaj interesave financiare të shtetit dhe kanë krijuar avantazhe të padrejta për një subjekt privat, duke kërkuar nga Prokuroria e Posaçme hetimin e plotë të çështjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje