Politike

Eurodeputetët mbërrijnë në Shqipëri për Vjosë-Nartën

Nga Gazeta ‘Si’- Protesta kundër projektit turistik në Zvërnec, e cila me kalimin e ditëve është shndërruar në një lëvizje më të gjerë anti-qeveritare dhe anti-establishment, hyn në javën e pestë.

Në të njëjtën kohë, kauza po merr një dimension të ri ndërkombëtar me mbërritjen në Shqipëri të një delegacioni të eurodeputetëve të grupit Greens/EFA.

Nga 29 qershori deri më 1 korrik, delegacioni i Parlamentit Europian do të zhvillojë një vizitë në Shqipëri dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, ku pritet të takohet me komunitetet lokale, organizatat mjedisore, përfaqësues të protestës dhe autoritetet shqiptare

Vizita vjen vetëm pak javë pasi Parlamenti Europian miratoi raportin për Shqipërinë, ku përmes amendamentit 17 u shpreh shqetësim për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe u kërkua pezullimi i ndërhyrjeve të reja deri në harmonizimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.

Edhe pse teksti i amendamentit nuk përmend projektin e Jared Kushner në Zvërnec apo Sazan, autorët e tij e kanë bërë të qartë se pikërisht zhvillimet në zonën e Vjosë-Nartës kanë qenë një nga arsyet kryesore të nismës.

Eurodeputeti austriak Thomas Waitz u shpreh se Parlamenti Europian “u rreshtua në krah të protestuesve dhe deltës së Vjosë-Nartës”, duke paralajmëruar se standardet mjedisore do të jenë pjesë e vlerësimit të Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim.

Ndërkohë, në Tiranë, protestat kanë hyrë në javën e pestë pa ndërprerje.

Çdo mbrëmje qindra dhe mijëra qytetarë mblidhen para Kryeministrisë në atë që organizatorët e kanë quajtur “Revolucioni i Flamingove”, një lëvizje që nisi si kundërshtim ndaj zhvillimit të projektit në Zvërnec dhe që gradualisht është shndërruar në një platformë më të gjerë me kërkesa politike, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Nga ana tjetër, qeveria ka hedhur poshtë akuzat e protestuesve.

Kryeministri Rama ka deklaruar se ende nuk ekziston një projekt përfundimtar apo leje ndërtimi për zhvillimin në fjalë dhe ka argumentuar se protesta është amplifikuar nga ajo që ai e ka cilësuar si një “ciklon digjital”, i lidhur me kundërshtarët politikë të Donald Trump, grupe anti-izraelite dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë