Ne rrjet

Historia dhe rrëfimet e Villa Certosa, ish-prona e famshme e Berlusconit në Sardenjë

Një vend për festa luksoze, por për takime me udhëheqës ndërkombëtarë - një vend që kishte edhe një vullkan për të bërë përshtypje te mysafirët

Gazeta Si – Vila Certosa, prona e madhe dhe luksoze në Sardenjë që i përkiste ish-kryeministrit italian, Silvio Berlusconi, do t’i shitet familjes mbretërore të Katarit, Al Thani.

Për vite me radhë, ajo ishte një pikë qendrore e lajmeve politike të verës – si në Itali, ashtu edhe jashtë vendit; gjatë gjithë karrierës së tij politike gati tre-dekada, Berlusconi pothuajse gjithmonë e kalonte muajin gusht atje, një kohë kur aktiviteti politik në Romë ngadalësohet ndjeshëm.

Kështu, Vila Certosa u bë më shumë sesa thjesht një shtëpi pushimi për Berlusconin; ajo shërbeu si një vend për takime me krerët e shteteve dhe qeverive të huaja, politikanë italianë dhe ndërkombëtarë, miq dhe gazetarë.

Berlusconi përdorte shpesh rezidencat e tij private si baza për menaxhimin e çështjeve të tij politike dhe qeveritare; përveç Vilës Certosa, prona, si Palazzo Grazioli në Romë dhe vila në Arcore (Brianza), u bënë të njohura në këtë drejtim. Kjo ishte një praktikë e re dhe e pazakontë që shkaktoi periodikisht polemika.

Për shkak të takimeve diplomatike ndërkombëtare të mbajtura atje, qeveria madje e caktoi Vilën Certosa në vitin 2004 si një “vend alternativ me siguri të lartë për sigurinë e kryeministrit” – konkretisht, vetë Berlusconit.

Një fotografi arkivi që tregon inspektorët e planifikimit urban brenda Villa Certosa të ish-kryeministrit italian Silvio Berluscon

Në terma praktikë, kjo do të thoshte se iu dha i njëjti status si vendet zyrtare institucionale, si Palazzo Chigi në Romë, duke autorizuar Berlusconin të kryente punë qeveritare nga vila e tij private.

Duke përmendur këtë klasifikim, Ministria e Brendshme thirri sekretin shtetëror në vitin 2004 për të parandaluar zyrën e prokurorit publik Tempio Pausania të inspektonte pronën për shkelje të dyshuara të kodit të ndërtimit dhe vepra penale mjedisore.

Sekreti shtetëror është një kufizim ligjor që një kryeministër mund të vendosë për çdo çështje, ku zbulimi mund të dëmtojë Republikën.

Zyra e prokurorit më pas apeloi në Gjykatën Kushtetuese dhe Ministria e Brendshme e hoqi përcaktimin e sekretit shtetëror në vitin 2005, pak para se Gjykata të vendoste për çështjen.

Në një farë mënyre, Berlusconi ishte një pararendës i një zakoni që shpesh shoqërohet vitet e fundit me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.

Të dy i përdorën pronat e tyre publikisht dhe politikisht – zakonisht të ndërtuara ose të rinovuara në stile të çuditshme dhe të ekzagjeruara – duke demonstruar ndryshime të dallueshme ndaj ritualeve të politikës së ngurtë dhe konvencionale.

Villa Certosa ishte simboli më i habitshëm i këtij qëndrimi të Berlusconit, ashtu si resorti Mar-a-Lago i Trumpit në Florida.

Vila Certosa nuk është në fakt një vilë e vetme, por një kompleks që përfshin shtatë godina, së bashku me ndërtesa të tjera të ndryshme ndihmëse dhe struktura shtesë.

Ajo ndodhet në majë të një kodre të vogël me pamje nga deti, njëzet minuta larg me makinë në veri të Olbias në verilindje të Sardenjës.

Dikush mund të shkruajë një libër të tërë për tiparet ekscentrike të vilës. Ndër më të shquarat dhe më të cituara shpesh, janë: një bunker bërthamor, një amfiteatër, një kopsht dolmen, Shpella e Neptunit, një replikë nuraghe, pellgje artificiale të kompletuara me mjellma dhe ishuj, skulptura të ndryshme guri dhe bronzi që përshkruajnë figura njerëzore nudo dhe një qark talasoterapie (një sistem prej pesë pishinash me ujë deti të rregulluara në nivele të shumëfishta).

Pastaj ishte një vullkan famëkeq: një lloj kodre e vogël artificiale që përmbante një mekanizëm që, kur aktivizohej nga distanca, simulonte një shpërthim.

Natën e “Ferragostos” në vitin 2006 (mesi i gushtit), kur ai e aktivizoi atë për herë të parë për të argëtuar një grup mysafirësh, banorët aty pranë njoftuan autoritetet e Mbrojtjes Civile.

Porto Rotondo. Vila e Silvio Berlusconit, “La Certosa”

Bimët meritojnë një vëmendje më vete. Berlusconi ishte një pasionuar pas kopshtarisë dhe kujdesej shumë për peizazhin e vilës.

Ai kishte qindra palma, bimë hibiskusi dhe kaktus. Midis kaktusëve ishte një që Berlusconi pretendonte se i ngjante “trurit të Tremontit” – duke iu referuar njeriut që shërbeu si ministër i Ekonomisë në qeverinë e tij – sepse “është e gjitha e shtrembëruar, por plot me gjëra”.

Pamja e rezidencës është po aq e çuditshme, sa historia e saj dhe ngjarjet që u zhvilluan atje. Berlusconi e bleu atë nga Flavio Carboni – një biznesmen i shquar sardian, i cili vdiq në vitin 2022 dhe u përfshi në episode të ndryshme kontraverse të historisë së fundit italiane; Carboni kishte vendosur ta shiste pronën në fund të viteve 1970 për të paguar disa nga borxhet masive që kishte grumbulluar.

Berlusconi e ndryshoi emrin e saj, nga Villa Monastero në Villa Certosa dhe i ngarkoi arkitektit të tij të besuar, Gianni Galimondi, ta rinovonte dhe zgjeronte atë.

Ngjarjet më interesante dhe kurioze ndodhën nga viti 2001 e tutje, pasi Berlusconi u bë kryeministër për herë të dytë.

Një oborr i brendshëm në Villa Certosa

Në vitet që pasuan, ai priti në vilë krerë të ndryshëm shtetesh dhe qeverish të huaj, përfshirë presidentin e SHBA-ve, George W. Bush, presidentin, egjiptian Hosni Mubarak dhe kryeministrat spanjollë, José María Aznar dhe José Zapatero.

Vizita e Tony Blair, kryeministrit britanik Laburist, në gusht 2004 u bë e famshme. Blair kishte një raport të fortë me Berlusconin, pavarësisht prirjeve të tyre politike të kundërta.

Ai e kishte pranuar ftesën vetëm pas shumë bindjesh, megjithatë ishte i vendosur të shmangte fotografimin përkrah Berlusconit; si pasojë, ai i kërkoi gruas së tij, Cherie, që të pozicionohej gjithmonë midis tyre sa herë që gazetarët ishin të pranishëm.

Fotografitë përfunduan duke shkaktuar mosmarrëveshje për arsye të tjera: ndërsa shoqëronte Blair dhe gruan e tij nëpër qendër të Porto Rotondos – një vendpushim turistik i njohur aty pranë – Berlusconi u shfaq për herë të parë i veshur me një shami që do të bëhej e famshme.

Më vonë u zbulua se shamia shërbente për të fshehur shenjat nga një procedurë transplantimi flokësh që ai i ishte nënshtruar vetëm disa javë më parë në një klinikë të nivelit të lartë në Ferrara.

Një takim në Villa Certosa midis Berlusconit dhe presidentit egjiptian Mubarak, korrik 2008

Atë mbrëmje, përsëri në Villa Certosa, Berlusconi e trajtoi Blair me një shfaqje fishekzjarrësh të personalizuar: fishekzjarrët shkruanin “W TONY” në qiell.

Presidenti rus Vladimir Putin, një mik i ngushtë i Berluskonit, qëndroi në vilë disa herë. Vizita e parë, në vitin 2003, ishte veçanërisht spektakolare.

Zgjati tre ditë dhe Putini u shoqërua nga disa anije luftarake ruse, siç është kryqëzori me raketa të drejtuara “Moskva” (i cili më pas u fundos nga Ukraina në Detin e Zi në prill 2022).

Festa të shumta mbaheshin në vilë gjatë vizitave të Putinit. Pavarësisht nëse një mysafir si Putini ishte i pranishëm apo jo, këto evente shpesh përfshinin performanca nga Mariano Apicella, një kantautor dhe mik i Berlusconit.

Apicella dhe Berlusconi madje kishin bashkëshkruar disa këngë. Në vitin 2008, gjatë një feste në Villa Certosa, ata performuan një duet të një prej këngëve të tyre më të famshme: “Meglio ‘na canzone”.

Silvio Berlusconi me presidentin rus Vladimir Putin në Villa Certosa në 2003

Midis viteve 2007 dhe 2009, fotografi Antonello Zappadu bëri fshehurazi disa foto në Villa Certosa, duke kapur Berlusconin dhe mysafirët e tij në poza të lira.

Disa foto të bëra në vitin 2008 tregonin kryeministrin çek, Mirek Topolánek, të zhveshur pranë pishinës; ato u publikuan në vitin 2009 në gazetën spanjolle “El País”.

Në Itali, fotot ishin sekuestruar nga Autoriteti i Mbrojtjes së të Dhënave – organi përgjegjës për sigurimin e pajtueshmërisë me rregulloret e mbrojtjes së të dhënave personale – pasi avokatët e Berlusconit paraqitën një padi kundër Zappadus për shkelje të pronës dhe shkelje të privatësisë, si dhe mashtrim. Zappadu u lirua nga të gjitha akuzat më pas.

Javier Moreno, kryeredaktori i “El País” në atë kohë, mbrojti vendimin për të publikuar fotot e Zappadu-së, duke deklaruar se “ajo që përcjellin fotot” është “ajo zbehje e vijës ndarëse midis sferave publike dhe private – një lloj përzierjeje imorale – që po degradon shtetin demokratik në Itali”.

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair dhe gruaja e tij, Cherie gjatë vizitës së tyre në Villa Certosa me Berlusconi-n

Berlusconi gjithashtu dha intervista për gazetarë italianë dhe të huaj në Villa Certosa. Në vitin 2003, ai i dha një intervistë Boris Johnson – ish-kryeministrit konservator britanik, i cili atëherë ishte gazetar për revistën britanike, “The Spectator” – që shkaktoi polemika të konsiderueshme.

Johnson intervistoi Berlusconin së bashku me një gazetar tjetër, Nicholas Farrell, i cili kishte shkruar së fundmi një libër për Benito Musolinin.

Farrell e nxiti atë të bënte një krahasim midis diktaturës fashiste të Musolinit në Itali dhe asaj të Sadam Huseinit në Irak (e cila kishte përfunduar së fundmi pas 24 vitesh) dhe Berlusconi vërejti: “Ajo ishte një diktaturë shumë më dashamirëse: Musolini nuk vriste askënd. Musolini dërgonte njerëz me pushime për t’i burgosur”.

Vila Certosa ishte gjithashtu vendi ku zhvilloheshin përpjekjet e fundit dhe ambicioze politike të Berlusconit – një përpjekje që përfundoi me dështim: zgjedhja e tij si President i Republikës.

Zgjedhjet ishin planifikuar për në janar 2022 dhe në gusht 2021, Berlusconi ftoi figura kyçe nga e djathta – dhe më gjerë – në Vila Certosa.

Ai shpresonte t’i bindte ata që partitë e tyre parlamentare të votonin për të si president të ri; të ftuarit përfshinin Giorgia Melonin dhe Ignazio La Russa-s, Matteo Salvini dhe partneren e tij, Francesca Verdini, Pier Ferdinando Casini dhe Matteo Renzi.

Në fund, Sergio Mattarella u rizgjodh në vitin 2022. E tëra çfarë mbetet nga ajo përpjekje e pafat, është rrëfimi i La Russa-s për vizitën, i ndarë në një intervistë me “Corriere della Sera”: “Ai na çoi nëpër vilë me një karrocë elektrike si një i çmendur, duke marrë kthesat si një pilot i Formula 1. Ai dhe Giorgia Meloni ishin përpara; unë isha prapa me të dashurën e Berlusconit, Marta Fascina. Ajo vazhdonte të bërtiste, ‘Ngadalë!’ Por ai nuk i kushtoi vëmendje”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë