Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama këmbënguli se nuk ekziston ende një projekt konkret për Zvërnecin dhe, rrjedhimisht, nuk ka asgjë për t’u anuluar.
Gjatë konferencës me gazetarë të vendeve të Bashkimit Europian, Rama u pyet për zgjerimin e protestave në mbrojtje të Zvërnecit. Ai tha se Shqipëria është një vend i lirë ku qytetarët kanë të drejtë të protestojnë pa pengesa, duke bërë një krahasim me ngjarjet e 21 janarit 2011, kur katër protestues u vranë para Kryeministrisë.
“Ky është një vend i lirë. Në vitin 2011, katër protestues u vranë nga kjo godinë. Sot njerëzit mund të protestojnë pa asnjë problem dhe kjo është një arritje e rëndësishme e demokracisë sonë”, tha Rama.
Sipas tij, protesta mori përmasa më të mëdha pasi u publikuan pamjet e dhunës së ushtruar nga një roje private ndaj një qytetari pranë zonës ku po diskutohet zhvillimi. Kryeministri tha se autoritetet reaguan menjëherë, duke arrestuar rojën, shkarkuar drejtorin e Policisë së Vlorës, vendosur nën hetim efektivët që nuk ndërhynë dhe duke i hequr licencën kompanisë së sigurisë.
Rama argumentoi se pas incidentit debati u zhvendos nga akti i dhunës te pretendimet për një projekt ndërtimi, duke theksuar se “projekti që kërkohet të anulohet nuk ekziston”.
“Protesta u shndërrua në një thirrje për anulimin e projektit. Unë thashë: dakord, ma tregoni projektin dhe e anulojmë. Por nuk ka projekt”, u shpreh ai.
Në një tjetër moment të konferencës, kryeministri mohoi se ekziston një leje ndërtimi për zonën e Zvërnecit dhe akuzoi rrjetin investigativ Balkan Insight për publikim informacioni të pasaktë.
“Ka një kompani dhe ka një shprehje interesi, por kjo nuk do të thotë se ka një projekt. Nëse dikush thotë se ekziston leje ndërtimi, le ta tregojë. Shqipëria nuk është republikë bananesh ku ishujt u shiten oligarkëve”, deklaroi Rama.
Ai sqaroi se bëhet fjalë për një pronë private dhe për kontakte paraprake me autoritetet shtetërore, ndërsa theksoi se çdo zhvillim i mundshëm do t’i nënshtrohet procedurave ligjore dhe kërkesave mjedisore.
Kryeministri shtoi se është i gatshëm të diskutojë publikisht çdo aspekt të çështjes, përfshirë dokumentacionin, kriteret mjedisore dhe procedurat e ndjekura deri tani, duke këmbëngulur se shumë prej pretendimeve të ngritura në debat janë “gjysmë të vërteta” ose “gënjeshtra”.
Një pyetje që i bëri një gazetare nga Rumania në lidhje me projektin e Zvërnecit e acaroi kryeministrin, i cili iu drejtua me fjalët se gënjeshtrat i kanë bllokuar trurin.
Gazetarja e pyeti nëse projekti ishte pezulluar apo anuluar, pasi sipas saj, kryeministri tha në fillim të fjalës së tij se ishte anuluar.
Por Rama reagoi ashpër duke i thënë se ka ardhur në Shqipëri me kokën plot me gënjeshtra, dhe se asgjë nuk kalon përmes trurit të saj.
Ai tha se Shqipëria sipas tij ka bërë përparim të ndjeshëm në mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e zonave të mbrojtura, duke theksuar se vendi nuk mund të konsiderohet më i njëjtë si vite më parë në aspektin e degradimit mjedisor.
Rama u ndal te rikthimi i jetës së egër në vend, duke përmendur konkretisht flamingot dhe pelikanët, të cilët sipas tij janë rikthyer në Shqipëri pas vendosjes së moratoriumit për gjuetinë dhe masave për ndalimin e prerjes së pyjeve.
Ai theksoi se, sipas të dhënave të ndryshimeve në kohë, Shqipëria ka kaluar nga më pak se 15% e territorit si zonë e mbrojtur, në rreth 25% në vitet e fundit, duke u renditur sipas tij ndër vendet me sipërfaqe të lartë të zonave të mbrojtura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje