Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama i konsideroi gënjeshtra pretendimet se në Shqipëri investitorët e huaj vijnë për të ndërtuar resorte që janë vetëm për shumë të pasurit dhe për të rekrutuar punonjës nga Pakistani, Bangladeshi dhe Filipinet.
Duke folur në Konferencën për Arsimin, Rama tha se Shqipëria vetëm vitet e fundit është bërë tërheqëse për kapitalin e huaj dhe sipas tij nuk duhet ta refuzojë atë.
Kreu i qeverisë sfidoi gjithashtu kritikët që pretendojnë se pagat në Shqipëri mbeten më të ulëta se në vendet e tjera turistike të rajonit. Sipas Ramës në investimet cilësore në Shqipëri, rrogat e punonjësve të turizmit janë të barabarta me ato në vendet fqinje.
“Nuk ka një vend në bregdetin shqiptar ku paga të jetë më e ulët sa në Greqi dhe Kroaci, sipas niveleve”, tha Rama.
“Sa më e lartë të jetë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të larta do të jenë pagat. Sa më e ulët të jetë cilësia, aq më të ulëta do të jenë pagat.
Sa më i lartë të jetë konsumi i atyre që vijnë për të shpenzuar në atë sistem, aq më të larta do të jenë të ardhurat, e për rrjedhojë dhe të shtetit”, shtoi ai.
“Zvicra, që është një vend turistik po ashtu, është një vend shumë i shtrenjtë, por ka paga shumë të larta, për arsyen e thjeshtë sepse ka mundësi të jetë e shtrenjtë sepse ka cilësi shumë të lartë të ofertës së vet”.
Sipas tij industria e turizmit shqiptar vuan për punonjës të kualifikuar.
“Detyra jonë është ta shtojmë numrin e shkollave të turizmit. Të refuzosh kapitalin e huaj do të thotë të refuzosh cilësinë, jo shkatërrimin”, u shpreh ai.
Ai argumentoi se pretendimet që investimet e mëdha shkatërrojnë natyrën burojnë nga padija, pasi sipas tij nuk ka asnjë provë që ta vërtetojë këtë.
Ai solli në vëmendje modelin e vjetër të zhvillimit në Golem, për të treguar se standardet e turizmit sot kanë ndryshuar rrënjësisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje