Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur senatorit amerikan Bernie Sanders pas deklaratave të këtij të fundit për protestat kundër projektit turistik të lidhur me Jared Kushner në Shqipëri që i cilësoi protestat si një reagim ndaj ndikimit të elitave ekonomike dhe politike.
Në një reagim të gjatë në platformën X, Rama i kërkoi Sanders të mos e shohë Shqipërinë si pjesë të debatit të brendshëm politik amerikan, duke theksuar se realiteti në terren është ndryshe nga ai që paraqitet në titujt mediatikë.
“Me gjithë respektin, senator, Shqipëria është një vend, jo një rresht në një debat politik amerikan”, shkroi Rama.
Ai vuri në dyshim pretendimin e Sanders se mbi 100 mijë persona kanë protestuar kundër projektit, duke argumentuar se shifrat janë fryrë.
“Më pak se 10 mijë protestues u bënë disi 100 mijë në postimin tuaj”, u shpreh ai.
Rama theksoi se aktualisht nuk ekziston asnjë projekt i miratuar, as leje ndërtimi dhe as një projekt final për zhvillimin e zonës.
“Sot nuk ka asnjë projekt të miratuar, asnjë leje ndërtimi dhe asnjë projekt përfundimtar”, shkroi ai.
Sipas kryeministrit, procesi aktual përfshin arkitektë, ekspertë mjedisorë dhe specialistë ndërkombëtarë që po punojnë mbi një vizion për turizëm të qëndrueshëm me ndikim pozitiv në mjedis.
Ai theksoi se debatet dhe shqyrtimi mjedisor janë të mirëpritura, por e konsideroi të padrejtë që projekti të etiketohet si një katastrofë mjedisore para se të ekzistojë.
“Mospajtimi është legjitim. Kontrolli mjedisor është i mirëpritur. Kështu funksionojnë demokracitë. Por të shpallësh diçka katastrofë mjedisore përpara se të ekzistojë është diçka tjetër”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se vendimet për zhvillimin e bregdetit shqiptar do të merren nga institucionet shqiptare dhe sipas ligjeve shqiptare.
“Ajo që do të ndërtohet në bregdetin e Shqipërisë do të vendoset nga vizioni ynë, ligjet tona dhe institucionet tona”, shkroi ai.
Rama kritikoi gjithashtu atë që e quajti “indinjatë të importuar” dhe përpjekje për ta kthyer Shqipërinë në pjesë të betejave politike të vendeve të tjera.
“Nuk kemi nevojë për zemërim të importuar, reflekse ideologjike apo për ta kthyer Shqipërinë në dekor të teatrit politik të dikujt tjetër”, tha ai.
Në fund të reagimit, kryeministri i bëri një ftesë publike senatorit amerikan për të vizituar Shqipërinë.
“Shpresoj që do ta kujtoni Shqipërinë edhe pasi titujt e ditës të kenë kaluar. Akoma më mirë, shpresoj të vini ta shihni vetë vendin tonë të bukur”, shkroi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje