Ushqim

Si djathi parmigiano u kthye në një aset bankar

Nga Gazeta ‘Si’- Çfarë kanë të përbashkët manastiret mesjetare në Emilia-Romagna me një bankë lokale të themeluar në vitin 1910?

Të dyja e kanë bërë ruajtjen e ushqimit pjesë të punës së përditshme.

Në mënyrat e tyre dhe në epoka të ndryshme, murgjit dhe bankierët kanë ndjekur të njëjtin qëllim në të njëjtin vend: të përfitojnë nga një produkt unik- një djathë që mund të ruhet për vite dhe që rrit vlerën ndërsa piqet.

Ky ushqim, që dikur siguronte mbijetesën e manastireve në shekullin XII, sot është pjesë e trashëgimisë gastronomike italiane dhe qëndron në qendër të një modeli financiar aq të veçantë, sa është studiuar edhe nga Harvard Business School.

Bëhet fjalë për Parmigiano Reggiano, një nga djathërat më të njohur në botë, i cili përdoret madje si kolateral bankar.

Banka Credem pranon rrota djathi si garanci për kredi ndaj prodhuesve, duke u dhënë atyre 60% deri në 80% të vlerës së produktit. Djathi ruhet në magazinat e bankës, dhe nëse huamarrësi nuk e shlyen kredinë, banka e rikuperon vlerën duke shitur produktin e stazhionuar.

Ky sistem funksionon falë vlerës së lartë ekonomike dhe reputacionit global të djathit. Aktualisht, magazinat e tij vlerësohen se përmbajnë rreth 325 milionë euro djathë. Nuk bëhet fjalë për një produkt të zakonshëm, por për rrota Parmigiano Reggiano.

Djathi qëndron në depo të mëdha për 23 deri në 40 muaj, gjatë të cilëve humbet deri në 20% të peshës së tij. Ndërkohë, ai fiton karakterin dhe vlerën e tij unike.

Parmigiano Reggiano është një nga ushqimet më tradicionale të Italisë dhe njëkohësisht një ambasador global i saj. Në shumë vende të botës, emri dhe shija e tij janë më të njohura sesa vetë rajonet e Parmës, Reggio Emilia-s, Mantovës, Bolonjës dhe Modenës- zonat e vetme ku mund të prodhohet ky djathë me emërtim të mbrojtur.

Me rreth 84.000 tonë të eksportuara çdo vit, ai përfaqëson një pjesë të rëndësishme të identitetit kulturor dhe ekonomik të këtyre provincave.

Statusi PDO (Emërtim i Mbrojtur i Origjinës) garanton origjinën, përbërjen dhe mënyrën tradicionale të prodhimit, duke mbrojtur produktin nga imitimet.

Megjithatë, jashtë Bashkimit Europian, “parmesani” është një nga ushqimet më të falsifikuara në botë. Sipas vlerësimeve të Consorzio del Parmigiano Reggiano, tregu i produkteve imituese kap vlerën e mbi 2 miliardë eurove.

Falsifikimi nuk dëmton vetëm ekonominë e prodhuesve, por edhe konsumatorët, të cilët shpesh nuk bëjnë dallim mes produktit origjinal dhe imitimit.

Receta e Parmigiano Reggiano-s ka mbetur thuajse e pandryshuar për më shumë se një mijë vjet: qumësht i papërpunuar, mullëz natyrale, kripë dhe mbi të gjitha-kohë. Për prodhimin e një rrote nevojiten rreth 520 litra qumësht, ndërsa procesi i pjekjes mund të zgjasë deri në 40 muaj ose më shumë.

Çdo rrotë kalon përmes një kontrolli cilësie, ku ekspertët e godasin lehtë me çekiç për të identifikuar defekte të brendshme. Vetëm ato që kalojnë testin marrin vulën e cilësisë.

Sot, prodhimi i djathit kombinon traditën me teknologjinë moderne, por thelbi mbetet i njëjtë si në kohën e murgjve mesjetarë.

Shumë prej prodhuesve janë ende familje dhe biznese artizanale, ku mjeshtëria kalon nga brezi në brez.

Ky djathë është gjithashtu thellësisht i lidhur me territorin e tij, pasi mikroflora lokale dhe ushqimi i bagëtive i japin një shije të veçantë të pamundur për t’u riprodhuar diku tjetër.

Sot, rajoni po përpiqet ta kthejë këtë trashëgimi në një atraksion turistik, me synimin për të rritur ndjeshëm numrin e vizitorëve në vitet e ardhshme.

Në një qytet si Parma, autenticiteti ende ndihet në çdo dyqan ushqimor, ku vlerat nuk janë suveniret, por produktet që ruhen brenda frigoriferit./ El Pais


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë