Politike

Rama i prerë për Zvërnecin: Investimi nuk ndalet sa kohë jam unë këtu

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama është pyetur nga mediat për raportimet se SPAK ka nisur verifikime mbi titujt e pronësisë në zonën e Zvërnecit, ku parashikohet ndërtimi i një resorti turistik.

Ai tha se jo vetëm që i mirëpret, por edhe i nxit hetimet ndaj pasurisë së investitorëve të këtij projekti.

Rama u ndal te roli i SPAK, duke e ndarë atë në dy aspekte, sipas tij: një pjesë pozitive dhe një pjesë problematike.

Sipas tij, aspekti pozitiv lidhet me hetimin e origjinës së pasurive kur ka çështje të debatueshme në opinionin publik.

“Pjesa pozitive është hetimi mbi origjinën e një pasurie, kur ky është një problem i ngritur me ose pa të drejtë dhe i shumëpërfolur. Aq më tepër kur nis një hetim për subjektin përkatës, është shumë pozitive që SPAK ta hetojë origjinën e kësaj prone. Është e mirëseardhur dhe e mbështes këtë hetim”, u shpreh Rama.

Ndërsa pjesën tjetër, ai e cilësoi si problematike, duke iu referuar, sipas tij, deklarimeve publike të personave që “vetëofrohen si zëvendës”, të cilët ndajnë me publikun “gjysmë të vërteta”.

Rama shtoi se investitorët që zotërojnë aktualisht pronën, sipas tij, kanë reputacion të padiskutueshëm dhe se burimet e tyre financiare janë verifikuar nga autoritetet përkatëse kundër pastrimit të parave, duke vepruar në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, dhe se transaksionet janë tërësisht legale.

Sipas tij, të gjitha transaksionet janë kryer në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe standardet financiare ndërkombëtare.

Ai u tregua i prerë kur deklaroi se përsa kohë që ai të jetë kryeministër, investimi në atë zonë nuk do të ndalet, ndërsa shprehu gatishmëri për të diskutuar me ata që kanë pretendime.

“Nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë të jem këtu. Unë jam i hapur të diskutoj me këdo që ka pretendime. Nëse pretendimi është për pronën, falë ndërhyrjes së SPAK ka rrugën e vetë dhe mund të çojë në një zgjidhje ideale për faktin se ato para mund të shkojnë për të dëmshpërblyer pronarët, ndërkohë që të tjerët janë pronarë sot dhe janë pronarë bazuar në letrat e shtetit shqiptar.

Teoria ‘ndalu ti se jemi ne’ me mua nuk ka funksionuar, nuk funksionon dhe nuk do të funksionojë për sa kohë unë jam këtu me votat e shumicës së shqiptarëve dhe kush thotë ‘ne jemi populli’ duhet të mendohet mirë se populli flet ditën e zgjedhjeve.

Ne na bashkon një kauzë, një interes; këngët, nevoja për të thirrur në kor ‘Edi Rama, tqr’, por populli është diçka tjetër”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë