Gazeta Si – Deputeti i Bundestagut gjerman nga CDU, Peter Beyer, i është drejtuar Kuvendit të Partisë Demokratike me një mesazh mbështetjeje, duke theksuar pritshmëritë e larta të partisë së tij dhe të Europës për opozitën shqiptare.
Por mes të tjerash, mesazhi i deputetit të Kancelarit Merz, ishte edhe për zgjedhjen e një kryetari të ri në PD, edhe pse një javë më parë Sali Berisha fitoi si kandidati i vetëm në garë, duke mos pasur asnjë rival.
“Ju keni një kongres shumë të rëndësishëm partiak. Merrni vendime të mëdha, zgjidhni një bord të ri, një kryetar të ri, një president të ri. Kam disa ide se kush mund të jetë, por do ta mbaj gojën mbyllur”, – u shpreh Beyer.
Ai theksoi se Shqipëria përballet me sfidën e madhe të integrimit në Bashkimin Europian, ndërsa apeloi për bashkim në të mirë të vendit.
“Ju jeni aktualisht partia opozitare më me ndikim dhe më e rëndësishme në Shqipëri dhe pritshmëritë nga unë, nga CDU-ja e Gjermanisë dhe sigurisht nga Europa dhe pjesa tjetër e botës janë shumë të larta. Ne mbështetemi te ju dhe ju lutem merreni këtë përgjegjësi me seriozitetin maksimal. Nuk ka kohë për konflikte mes jush apo konkurrencë të brendshme, por të gjithë duhet të përqendroheni, ashtu si ne në CDU në Gjermani, te një qëllim i vetëm; integrimi në Bashkimin Europian”, apeloi ai.
Beyer nënvizoi gjithashtu nevojën për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se PD duhet të ofrojë një alternativë të besueshme qeverisëse për të ardhmen e Shqipërisë.
“Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, ju e dini këtë shumë më mirë se unë, duhet luftuar korrupsioni, duhet luftuar krimi i organizuar dhe duhet të jeni e të ofroni një alternativë të vërtetë për Shqipërinë, një udhëheqje që me të vërtetë i hap rrugën vendit tuaj drejt një të ardhmeje të begatë dhe të ndritur”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje