Gazeta Si – Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike në Pallatin e Kongreseve, ka nisur me fjalën e mbajtur nga avatari me Inteligjencë Artificiale i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Me fjalët e përgatitura nga departamenti i PD, avatari i Skënderbeut foli për “Diellën” dhe për gjendjen ku ndodhet vendi duke fajësuar kryeministrin Edi Rama si një prej dëmtuesve më të mëdhenj që pas osmanëve.
“Jam unë, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Në fakt jam një avatar i krijuar nga departamenti i AI i PD. Ndryshe nga avatari i Ramës, ‘Diella’, që ka kushtuar 4 milionë euro, unë kam kushtuar vetëm 100 euro. Edi Rama po i kushton shumë Shqipërisë. Që nga pushtimi ottoman askush nuk i ka kushtuar më shumë vendit tonë”- tha avatari AI
Pas këtij mesazhi anëtarët e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike u ngritën në këmbë për të nderuar himnin kombëtar.
Gjatë kongresit, pritet që kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi të paraqesë propozimet për ndryshimet statutore që do t’i nënshtrohen diskutimit dhe miratimit nga delegatët.
Në rendin e ditës është parashikuar edhe miratimi i përbërjes së re të Këshillit Kombëtar, një strukturë kyçe në organizimin dhe funksionimin e partisë. Risi këtë herë është edhe kandidimi i personazheve të muzikës si rasti i reperit Stresi i cili shpalli dje kandidaturën e tij.
Kuvendi Kombëtar pritet të përcaktojë edhe drejtimet politike dhe organizative që Partia Demokratike do të ndjekë në periudhën e ardhshme.
Ndryshimet nuk do të prekin të ashtuquajturin “Neni Basha”, i cili parashikon kufizime për drejtuesit që humbasin zgjedhjet, si dhe mekanizmin e Primareve për përzgjedhjen e kandidatëve.
Kuvendi i këtij viti ka në qendër konceptin e “Ripërtëritjes”, një mesazh që lidhet me procesin e reformimit dhe modernizimit të partisë.
Gjatë punimeve do të prezantohen gjithashtu dy platforma të reja. Njëra lidhet me procesin e digjitalizimit të partisë, ndërsa tjetra synon angazhimin dhe përfshirjen më të madhe të diasporës në aktivitetin politik të demokratëve.
Në përfundim, delegatët do të votojnë për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar, duke zgjedhur mes kandidatëve të propozuar nga kryetari, kryesia, degët e partisë dhe anëtarët më të votuar të Këshillit Kombëtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje