Nga Gazeta ‘Si’- Korrupsioni vlerësohet se i kushtoi ekonomisë shqiptare deri në 1 mld euro në vitin 2025, ose 3.1–4% të PBB-së, duke u shfaqur si një “taksë e fshehtë” që vepron në mënyrë të vazhdueshme mbi rritjen ekonomike, financat publike dhe mirëqenien e qytetarëve. E
Sipas analizës së kryer nga qendra kërkimore ALTAX, kostoja direkte fiskale e korrupsionit në Shqipëri, arrin në 650–810 milionë euro në vit, që përfaqëson rreth 8-10% të shpenzimeve totale publike.
Përtej efektit të drejtpërdrejtë fiskal, korrupsioni gjeneron edhe kosto indirekte ekonomike të vlerësuara në 202-305 milionë euro në vit. Ky efekt shfaqet përmes uljes së rritjes reale të PBB-së me 0.73–1.10 pikë përqindje çdo vit, si pasojë e dobësimit të besimit institucional, shtrembërimit të konkurrencës në treg dhe frenimit të investimeve të huaja direkte në sektorë produktivë. Në afat të gjatë, këto efekte përkthehen në një ekonomi më pak dinamike dhe me potencial të kufizuar rritjeje.

Korrupsioni ndikon drejtpërdrejtë edhe në mirëqenie. Sipas Indeksit të Humbjes së Mirëqenies (WLI), ky tregues vlerësohet në 22–29%. Kjo do të thotë se deri në një të tretën e efektivitetit të shpenzimeve publike në sektorët kyç si arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale humbet për shkak të korrupsionit. Në praktikë, kjo reflektohet në shërbime më pak cilësore, akses më të pabarabartë dhe eficiencë të ulët të çdo euroje të shpenzuar nga shteti.
Në vitin 2025, Shqipëria ka një Indeks të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) prej 39/100, duke u renditur në vendin e 91-të nga 182 shtete dhe duke mbetur dukshëm nën mesataren e Bashkimit Europian prej 64/100. Kjo tregon se perceptimi i korrupsionit mbetet një sfidë strukturore e thellë, që ndikon jo vetëm në imazhin ndërkombëtar të vendit, por edhe në klimën e brendshme të investimeve dhe besimit ekonomik.

Skenarët për të ardhmen
Analiza e skenarëve afatmesëm për periudhën 2025-2030 tregon se, nëse niveli aktual i korrupsionit mbetet i pandryshuar, Shqipëria rrezikon të humbasë 2.8-4.8 miliardë euro në prodhim kumulativ. Këto humbje përfaqësojnë një frenim të ndjeshëm të potencialit të rritjes ekonomike dhe një kosto të vazhdueshme për zhvillimin afatgjatë të vendit.
Në një skenar më optimist, ku korrupsioni ulet me 25-30% deri në vitin 2030, ekonomia shqiptare mund të përfitojë 4-7 miliardë euro shtesë në PBB kumulative, ndërsa rritja reale vjetore mund të përshpejtohet në 4.3-4.7%. Madje, vetëm në vitin 2025, një përmirësim i tillë do të mund të gjeneronte 200-300 milionë euro shtesë në prodhim ekonomik, duke reflektuar një kthim të lartë të reformave institucionale.
Në thelb, korrupsioni nuk është vetëm një problem etik apo ligjor, por një pengesë strukturore zhvillimi që funksionon si një taksë regresive mbi ekonominë. Ai shtrembëron shpërndarjen e burimeve, ul eficiencën e investimeve publike, dobëson konkurrencën dhe nxit emigracionin e kapitalit njerëzor, veçanërisht të të rinjve të kualifikuar. Kjo çon në një cikël të vazhdueshëm ku mungesa e besimit institucional përforcon më tej dobësitë ekonomike.
Në këtë kontekst, ulja e korrupsionit konsiderohet një nga reformat me ndikimin më të madh transformues për Shqipërinë. Përmirësimi i qeverisjes, forcimi i institucioneve dhe rritja e transparencës fiskale nuk përfaqësojnë vetëm një domosdoshmëri institucionale, por edhe një mundësi të drejtpërdrejtë për rritje ekonomike, rritje të mirëqenies dhe përshpejtim të procesit të integrimit europian.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje