Ekonomi

Alarmi për zjarret në vend, qeveria paralajmëron paketë mbështetëse për zjarrfikësit

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria do të investojë 20 milionë euro për përmirësimin e infrastrukturës së emergjencave civile dhe do të prezantojë një paketë të re mbështetëse për zjarrfikësit dhe të gjithë efektivët e angazhuar në përballimin e zjarreve gjatë sezonit veror.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, i cili tha se fondi do të përdoret për forcimin e kapaciteteve logjistike të sistemit të emergjencave.

“20 milionë euro do të jenë të fokusuara në logjistikën dhe infrastrukturën e emergjencave”, deklaroi Demo.

Ministri njoftoi gjithashtu një fond prej 10 milionë eurosh për një program të ri që synon përmirësimin e transportit urban, si pjesë e investimeve në shërbimet vendore.

Sipas tij, fondet do të mbështesin gjithashtu projekte në ujësjellës, kanalizime dhe rehabilitimin e ish-zonave industriale.

Në kushtet e një sezoni me zjarre në disa qarqe të vendit, Demo bëri të ditur se qeveria po përgatit një paketë të posaçme financiare për të gjithë ata që janë të angazhuar në terren.

“Shumë shpejt do të dalim me një paketë mbështetëse për ata që janë në vijën e parë. Bonusi i zjarrfikësve do të shpërndahet për të gjithë ata që luftojnë me zjarret gjatë sezonit”, tha ai.

Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile njoftoi gjatë fundjavës se janë menaxhuar 16 vatra zjarri në disa qarqe të vendit. Pesë prej tyre mbeten aktive, por sipas autoriteteve janë nën kontroll.

Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 261 efektivë, 40 automjete zjarrfikëse, dy helikopterë, mjete të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe strukturave të tjera të emergjencave civile.

Autoritetet bëjnë të ditur se situata vijon të monitorohet dhe se ndërhyrjet në terren do të vazhdojnë deri në shuarjen e plotë të të gjitha vatrave aktive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë